Një prej kandidatëve për kreun e ri të SPAK, Adnan Xholi, ka shpalosur platformën e tij para Këshillit Lartë të Prokurorisë.
Në fjalën e tij Xholi theksoi se ka ardhur koha që SPAK të vazhdojë me hapa të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Xholi tha se duhen hetime konkrete në një kohë të shpejtë dhe duke u bazuar në prova.
“Krahas rezultateve të shkëlqyera që ka arritur SPAK këto tre vite, mendoj se ka ardhur momenti që trupa e saj të vazhdojë me hapa të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të forcuar më tej besimin e publikut. Duhet të kemi hetime konkrete në një kohë të shpejtë dhe duke u bazuar vetëm në prova”.
Xholi solli në vëmendje që ka dërguar për gjykim edhe zyrtarë të lartë, si dhe ka marrë pjesë në hetimin e ngjarjeve më të rënda kriminale.
Kam dërguar për gjykim zyrtarë të lartë që përfshiheshin në ligjin e dekriminalizimit. Eksperienca në drejtimin dhe organizimin e një strukture. E kam filluar eksperiencën drejtuese që në moshën 24-vjeçare, kur jam bërë zv.drejtues dhe në moshën 25-vjeçare jam bërë drejtues. Jam munduar të kem raport të shkëlqyer bashkëpunimi si me stafin, por edhe me aktorët e tjerë. Jam munduar të bëjë një shpërndarje të drejtë, të barabartë në lidhje me çështjet. Kam mbajtur peshën kryesore të edukimit që do të duhet të isha unë si drejtues, personi që do përballesha me këta autorë të veprave penale. Në çdo strukturë që kam punuar, kam parë problematika, dhe kam arritur që të nxjerr dhe miratoj akte, nga Prokuroria në Gjirokastër, në Lezhë, Prokuroria për Krime të rënda, Prokuroria e Përgjithshme.
Kërkova që të hiqej mandati i dy deputetëve në detyrë. Kam vijuar për kërkesën për masë sigurimi. Çështje tjetër që ka marrë vëmendje të lartë ishte vrasja e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit. U ndryshua vendimmarrja nga pafajësi, në vendim fajësie dhe burgim të përjetshëm. Kam marrë pjesë në ngjarjet më të rënda kriminale që kanë ndodhur pas 97’ në Shqipëri”.
Xholi vuri në dukje gjatë pyetje-përgjigjeve se nëse do ketë dyshime të arsyeshme, asnjë zyrtar i lartë i përfshirë në një aferë nuk do t'i shpëtojë kthetrave të BKH.
Përulem para kolegëve për atë punë që kanë bërë. Pavarësisht pritshmërive të opinionit publik, ne jemi juristë, jemi njerëz, jemi qytetarë, nëse do kemi prova të cilat vënë para dyshimeve të arsyeshme se një zyrtar i lartë është i përfshirë nuk do i shpëtonte kthetrave të BKH-së por jo me opinion dhe fjalë boshe. Ndaj duhen këtë struktura, për të mbledhur prova”.



