Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim kreun e një organizate kriminale të trafikimit të heroinës në Francë. Domart Konjari, i akuzuar për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarise kriminale”, “Organizata Kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Korruspioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” është arrestuar fillimisht në 18 janar 2016 në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në Korçës, pasi iu gjetën dokumenta të falsifikuara me emrin Arben Lazri dhe, për këtë arsye, ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”.
Por më pas u zbulua se ai ishte Domart Konjari, për të cilin kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar nga autoritetet franceze, pasi ai ishte dënuar me një vendim jo-përfundimtar me 10 vjet burgim. Autoritetet franceze kishin bërë gjithashtu një kërkesë autoriteteve shqiptare që, nëse arrestohej, gjykimi ndaj tij të zhvillohej në Shqipëri. Duke qenë se vepra për të cilën akuzohej në Francë, “trafik lëndësh narkotike”, ishte në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, dosja me arrestimin e tij u kalua nga Gjykata e Korçës për në Tiranë. Në bazë të një vendimi, i cili u kontestua nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, në Shkurt 2016, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij dhe masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Ndërkohë që Konjari fitoi lirinë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë, në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit. Në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sërish në dhjetor 2016 caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Konjarit. Kjo kërkesë u pranua nga ana e Gjykatës, por ndërkohë, ai nuk është gjetur ende nga Policia, pavarësisht se, me vendim gjykate, ai duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore në mënyrë periodike. Bazuar në materialet e hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda rezultoi se i pandehuri Domart Konjari paraqitet si personazhi qendror i rrjetit të trafikimit ndërkombëtar të kokainës, i përfshirë drejtpërdrejt në shumë operacione importimi të sasive të mëdha kokaine, në lidhje të drejtpërdrejtë me trafikant të shumtë rajonal. Në bashkëpunim me të tjerë, ai ka kryer trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike të llojit heroinë për në Francë nga Spanja, Italia, Hollanda dhe vende të tjera dhe shpërndarjen e saj kryesisht në qytetin e Marsejes dhe në vende të tjera, ka kryer pastrimin e fitimeve. Nga kjo veprimtari kriminale nëpërmjet këmbimit ose transferimit të pasurisë me qëllim fshehjen ose mbulimin e natyrës së paligjshme të saj duke e ditur se kjo pasuri është produkt i veprimtarisë kriminale, duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarise kriminale”, “Organizata Kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.



