
Zjarri vazhdon të jetë aktiv në malin e Dukatit, në Vlorë, dhe flakët po i afrohen gjithnjë e më shumë banesave të fshatit Dukat. Gjithashtu, zona e Llogorasë është në rrezik, pasi flakët janë shumë afër pyjeve të pishave.
Korrespondentja e ‘MCN Live’ nga Vlora, Ariola Hasanaj, raporton se janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe dy helikopterë për të ndihmuar në fikjen e zjarrit.
Si pasojë e situatës, rreth 80 forca të ushtrisë, të ardhura nga Poshnja e Beratit, 20 zjarrfikës, emergjencat civile, banorë të zonës, si dhe Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit (ADZM), kanë nisur sërish aksionin për të shuar flakët.
Sipas informacionit, zjarri ka përfshirë pisha, bredha dhe bimësi të ndryshme në malin e Dukatit, dhe është në një fazë kritike, pasi po i afrohet Parkut të Llogarasë.
Pas pesë ditësh djegieje, situata është përkeqësuar, dhe tani është në pikën ku flakët janë gjithnjë e më pranë pyjeve të mbrojtura.
Rreziku është përshkallëzuar edhe më tej për shkak të terrenit të vështirë, që ka bërë ndërhyrjen shumë të vështirë.
Për më tepër, janë angazhuar edhe dy helikopter për fikjen e zjarrit teksa era ka nxitur shpërndarjen e flakëve dhe po e bën situatën edhe më të rrezikshme.



