Komisioneri Besnik Dervishi theksoi sot se përcaktimi i Nëpunësve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është detyrim ligjor si për sektorin publik, ashtu edhe privat.
Deklarata u bë gjatë aktivitetit me temë “Roli dhe detyrat e Nëpunësit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me përfaqësues të institucioneve të sektorit publik.
Komisioneri tha që sektori publik dhe ai privat duhet të caktojnë një person përgjegjes që do të mbajë këtë detyrë të rëndësishme. Ai theksoi se çdo kontrollues dhe përpunues, duhet të sigurojë që veprimtaria e tij të ushtrohet në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të marrë masat e nevojshme për zbatimin e detyrave të specifikuara në ligjin nr. 124/2024.
Dervishi shtoi më tej se roli i këtij nëpunësi nuk është më thjesht formal, por me një rëndësi të veçantë në zbatimin e kërkesave ligjore e për këtë arsye do të zhvillohen fushata trajnimi dhe ndërgjegjësimi të vazhdueshme.
Gjithashtu Komisioneri Dervishi informoi se pranë zyrës që ai drejton me Vendim të Këshillit të Ministrave do të krijohet Regjistri Elektronik i Nëpunësve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, i cili do të përmbajë të dhëna për çdo Nëpunës të caktuar nga kontrolluesit dhe përpunuesit.
Drejtoresha e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Pjerina Mema, bëri një përshkrim më të detajuar të këtij detyrimi ligjor, konkretisht për kriteret e përzgjedhjes së DPO-ve, detyrat e tyre, krijimin e rrjetit të këtyre nëpunësve si dhe pavarësia dhe shmangia e konfliktin të interesit brenda autoritetit.



