
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda raportin me rezultatet përfundimtare të hetimit administrativ për ish-prokurorin Petrit Fusha.
Në një njoftim të publikuar sot në faqen zyrtare të KPK-së, që më pas u fshi, thuhet se Komisioni ka vënë në dijeni në lidhje me raportin edhe Prokuroren e Përgjithshme.
Nuk dihet se cilat janë gjetjet e raportit të hartuar në kuadër të procesit të rivlerësimit mbi figurën e ish-kreut të akuzës së Tiranës.
Petrit Fusha dha dorëheqjen dy muaj më parë, duke dalë në këtë mënyrë nga radhët e sistemit. Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, së fundmi ka ushtruar detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Fusha e motivoi dorëheqjen me dëshirën për t’u përqendruar në aktivitete me më pak ngarkesë. Dorëheqja erdhi në një kohë që ai ishte në procesin e rivlerësimit, por KPK nuk kishte caktuar ende për të datën e seancës dëgjimore publike.
Emri i Petrit Fushës lidhet me mbylljen e disa prej dosjeve më të shumëpërfolura të viteve të fundit. Mes tyre është edhe ajo e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Partia Demokratike e ka akuzuar shpesh prokurorin Petrit Fusha edhe për mbylljen e dosjeve qeveritare të ministrave të korruptuar.



