Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje çdo qytetari të moshës 35-70 vjeç, t’i drejtohen qendrave shëndetësore për të përfituar kontrollin shëndetësor falas për të parandaluar sëmundje e për t’u kuruar në kohë.
Në një deklaratë për shtyp të MSH-së, theksohet se “dje PD akuzonte qeverinë se po shpenzonte më shumë. Sot, që kuptoi se nuk do të shpenzohet asnjë qindarkë ekstra, por përkundrazi, për të njëjtin buxhet do të përfitojnë më shumë qytetarë, më shumë kontrolle falas, opozita i është rikthyer avazit të vjetër të propagandës anti checkup”.
“Në vend që t’ju bëj thirrje qytetarëve për të kryer check-up falas, për të parandaluar dhe shëruar sëmundje, Partia Demokratike prej një viti e gjysëm është armikja më madhe e check-up falas. Falas, pa paguar asgjë, qytetarëve u ofrohet mundësia të parandalojnë sëmundje e të jetojnë më gjatë e më shëndetshëm”, nënvizohet në njoftimin e MSH-së.
Sipas MSH-së, përtej fjalëve dhe baltës që hidhet çdo ditë, shërbimi i check-up është falas për çdo qytetar në moshën 35-70 vjeç si dhe është një shërbim që funksionon, që parandalon sëmundje dhe ju ndihmon të jetoni me shëndetshëm.
Partia Demokratike akuzoi dje kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj për rritjen e fashës së check-up-it.



