Një i ri shqiptar është kapoja i një grupi të drogës në Bolzano. Mediat italiane shkruajnë se 24-vjeçari Fatmir Muhaj drejtonte një bandë të trafikimit dhe shpërndarjes së hashashit, marijuanës dhe kokainës në Bolzano.
Për më shumë se një vit, edhe pse në moshë të re, ai ka qenë “shefi i madh” i këtij grupi.
Ai është vënë në pranga të martën pas një urdhër-arresti të lëshuar nga gjykatësi Walter Pelino. Vetëm një ditë para arrestimit, ai ishte paraqitur para gjykatës për dhunimin e një policia që e kishte kapur teksa drejtonte mjetin e tij pa patentë.
Ai është lënë i lirë, por një operacion i kryer vetëm pak orë më pas ka bërë që të arrestohet menjëherë. Një hetim prej më shumë se një viti lidhur me një seri vjedhjesh në hotelet e Pusterias ka nxjerrë rastësisht emrin e tij. Gjatë përgjimeve të telefonatave, karabinierët kishin identifikuar një grup trafikantësh dhe shpërndarësish droge që vepronin në Bolzano.
Në pranga ka përfunduar edhe e dashura e Muhajt, Giulia Dibello, 41 vjeç, shtetase italiane.
Sipas hetimeve, grupi funksiononte në bazë të disa rregullave të mirëpërcaktuara. Numri dy i tij ishte Ilir Nurja, 41 vjeç, që njihej ndryshe me nofkën “xhaxhai”.
Ata kishin mbajtur të fshehur për disa muaj me radhë nëj sasi droge në një apartament që i përket një tjetër shqiptari të arrestuar, Ergyst Dalipi, 24 vjeç.
Por me zbulimin e apartamentit, Muhaj është vënë menjëherë në lëvizje për të zbuluar se kush nga pjesëtarët e grupit kishte “gabuar”, për t’ia besuar mbrojtjen e tij avokatit të besuar Federico Fava.
Siç thuhet në raportin e hetuesve që arrin mbi njëmijë faqe, pas zbulimit të apartamentit, grupi e kishte transferuar “magazinën” në lokalin (në foto) e një shtetaseje italiane me origjinë indiane, e cila është vendosur në arrest shtëpiak.



