
Kriza në Bosnje-Hercegovinë ka detyruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ulen në tavolinë me Miloard Dodik, përfaqësuesin serb në presidencën trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, të cilin e kanë shpallur non grata 4 vite më parë dhe ndaj të cilit aplikojnë disa sanksione. Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për çështjet e Europës Juglindore, Gabriel Escobar, ndodhet në Sarajevë për të diskutuar me liderët politikë mbi përplasjet e e fundit, që sipas përfaqësuesit special, Kristian Shmidt, rrezikojnë edhe shpërbërjen e vendit.
Pavarësisht hezitimit të palës amerikane për të konfirmuar paraprakisht takimin me Dodik, Escobar bisedoi të hënën me përfaqësuesin serb, të cilit i theksoi mbështetjen e Uashingtonin për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.
Miloard Dodik ka paralajmëruar së fundmi ndërmarrjen e disa nismave që synojnë eliminimin e strukturave shtetërore, fillimisht krijimin e një agjencie më vete të shëndetësisë, e cila do të pasohet edhe nga një ushtri e Republikës Sërpska. Veprime që kanë thelluar krizën në vend dhe të cilat po kundërshtohen nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Escobar u takua të hënën edhe me anëtarin boshnjak të presidencës së bosnjes, Shefik Xhaferoviç, i cili tha se zyrtari amerikan i kishte kërkuar bashkëpunimin me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që zyrtari boshnjak ka kërkuar të sqarohen nismat që vijnë nga Beogradi dhe Tirana, siç është edhe Ballkani i Hapur.



