
Ka shkuar në dy numri i viktimave pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Velipojë pak ditë më parë, ku 4 anëtarët e familjes Gjoka mbetën të lënduar nga shpërthimi i bombolës. Këtë të premte mësohet se ka humbur jetën në spital në Itali, edhe Klarisa Gjoka, 15 vjeçe.
Ajo u nda nga jeta në ditën kur motra e saj e madhe, 19-vjeçarja Daniela Gjoka u përcoll për në banesën e fundit. Ndërkohë, ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve italianë edhe nëna e tyre, 40-vjeçarja Alketa Gjoka me të birin 12-vjeçar. Edhe Gjendja e tyre paraqitet e rëndë pasi kanë pësuar djegie të shumta në trup. Familja Gjoka po përgatiste mjediset e hotelit të tyre në Velipojë për të pritur pushues gjatë sezonit të verës. Njëra prej vajzave mësohet se ka dashur të bëjë kafe, kur ka shpërthyer bombola e gazit. 4 anëtarët e familjes qëndruan për disa ditë në spital në QSUT dhe më pas u transportuan drejt Italisë për trajtim më të specializuar.



