
Ankesat më të shumta që merr institucioni i Avokatit të Popullit kanë të bëjnë me veprimtarinë e Kadastrës.
Kështë bëri me dije Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca në një intervistë ekskluzive me gazetarin e MCN TV, Arsen Rusta duke shtuar se ky institucion merr mijëra ankesa çdo vit.
Në emisionin “FactCheck” Ballanca tha se shkeljet më të shumta bëhen nga Kadastra dhe bashkitë, ndërkohë që institucionet që zbatojnë më shumë rekomandimet janë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Policia e Shtetit.
Ankesat më të shumta që ne marrim kanë të bëjnë me veprimtarinë e Kadastrës. Me praktikat që lidhen me regjistrimin e pronës dhe çfarë ndodh me lidhje me këtë çështje. Problematika të tjera që ne trajtojmë janë të çdolloj qytetari apo individi i cili ka pasur një trajtim jo të përshtatshëm dhe jo të drejtë në Policinë e Shtetit, në qëndrimin e tyre në Komisariate. Ankesat na vijnë edhe nga personat që janë brenda sistemit penitenciar.
Kemi të drejtë të kufizuar në sektorin gjyqësor. Në rastet e proceseve gjyqësore, qoftë sa i përket Prokurorisë, qoftë sa i përket sistemit gjyqësor kemi të drejtë të trajtojmë elementë vetëm për zvarritjen e procesit, nuk hyjmë në thelbin e vendimmarrjes.
Marrim ankesa dhe për cilësinë e kujdesit shëndetësor, për cilësinë e ndihmës ekonomike, përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike etj. Janë me mijëra ankesa që marrim.
Për vitin 2022, pasi statistikat për vitin 2023 janë ende në përpunim, kemi pasur rreth 824 ankesa qytetarësh të zgjidhura nga administrata publike pa pasur nevojë që ne të dalim me një rekomandim, që do të thotë që kemi gjetur shkelje dhe kemi rekomanduar për administratën publike. Ne komunikojmë drejtpërdrejtë me administratën, tek Kuvendi shkojmë kur administrata nuk e zbaton rekomandimin. Në 824 raste ata e kanë zgjidhur pa pasur nevojën që t’i themi ne që ka një problem.
Ato që janë më të mirët janë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Policia e Shtetit.
Në institucionet që kemi përsëri vuajtje, megjithëse ka pasur ndërhyrje të Kuvendit nuk shohim përmirësim janë Kadastra, në nivel lokal, ka problematika shumë të mëdha në kthimin e përgjigjeve dhe me dërgimin e informacioneve tek Avokati i Popullit dhe e dyta është pushteti lokal. Pushteti lokal mbetet një gangrenë në lidhje me raportimin dhe garantimin e të drejtave social-ekonomike për qytetarët.
Bashkitë janë institucionet që kanë ndërveprimin më të keq ose më pak të mirë me Avokatin e Popullit së bashku me Kadastrën.
Më tej, Ballanca tha se institucioni i Avokatit të Popullit është kundër ligjeve klienteliste dhe se për këtë gjë ka pasur gjithmonë një reagim të fortë.
Sipas Avokates së Popullit, “ligji për Teatrin” dhe “ligji Fusha” janë shkelje e rëndë.
Ne nuk kemi kapacitete për të parë dhe vlerësuar çdo ligj që miratohet në Republikën e Shqipërisë. Zgjedhim ato ligje që mendojmë se kanë më shumë problematika t’i adresojmë dhe t’i shohim. Ne si institucion kemi qenë jo pak të zëshëm në trajtimin e disa problematikave që lidhen me ligje të bëra apostafat, apo të themi ligje që pavarësisht qëllimit të përgjithshëm apo asaj që është treguar në 'faqe të parë' si një interes publik, kanë fshehur një interes tjetër që nuk ka qenë domosdoshmërisht një interes i lavdërueshëm publik.
Ne kemi qëndrime të qarta për “ligjin për Teatrin”, qoftë për sa i përket shembjes së Teatrit Kombëtar. Kemi një raport që ka qenë shumë negativ dhe për sa i përket faktit të zgjatjes së ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme vetëm për të pasur kompetenca për shembjen e teatrit.
Dhe për rastin e ligjit Fusha kemi qendër publikisht kundër. Kemi bërë një raport që ka gjetur një sërë problematikash për ligjin e rindërtimit.



