Presidenti i KOKSH Fidel Ylli theksoi në emisionin "Bilardo" se me hapjen e basteve sportive online, sporti shqiptar do të marrë më shumë para.
Ylli vë në dukje se ata që dalin kundër hapjes së basteve sportive me rregulla dhe standarde janë ndoshta ata që kanë interes që ky sektor të vazhdojë aktivitetin e tij në të zezë.
"Sporti para se të mbylleshin kompanitë e basteve duhet të merrte 50 milionë euro. Sporti ka përfituar zero lekë, sepse qeveria i merrte këto para dhe mbyllte vrima të tjera dhe punë të tjera që i kishte të pabëra dhe sporti nuk merrte lekë. Lajmi nuk është se po hapen kompanitë e basteve, lajmi është se kompanitë e basteve s’janë mbyllur kurrë, janë në të zezë, qeveria s’po merr asnjë lekë, ne duam që bastet të dalin në dritën e diellit. Si është më mirë, t’i marrë rruga?! T’i marrin njerëzit e fortë?! Pastrimi i parave të mos kontrollohet?! Ne themi t’i kontrollojë shteti.Ne themi basti është një ves dhe vesi nuk mbyllet me ligj, vesi mbyllet me disa rregulla dhe standarde që ti të jesh në gjendje ta kontrollosh. Qeveria s’është edukatori".
I pyetur mbi akuzat se ai ka interesa në këtë sektor, Fidel Ylli përgjigjet:
"Unë kam interesa, jo një, por shumë interesa, që sporti shqiptar të marrë para, sepse është turp që një Federatë e Basketbollit në Kosovë të marrë 3 milionë dollarë buxhet dhe Federata Shqiptare e Volejbollit dhe Basketbollit merr 100 mijë dollarë!".
"Ne jetojmë në një vend ku çdo gjë paragjykohet dhe kur je njeri publik detyrimisht portalet mbushen me gënjeshtra të këtij lloji, mua më intereson vetëm sporti. Unë mund të them edhe një gjë, që s’më interesojnë fare bastet, unë as i promovoj bastet, as promovoj alkoolin, as duhanin, as i pi vet. Por të shikoj që gjithë dynjaja i dinë dhe s’kanë kurajo të flasin, këtë e kam bërë unë me iniciativën time dhe i kam dalë grupin tim parlamentar kundër, dhe u kam thënë që këto s’i mbylli Enver Hoxha, dhe s’i mbyll dot as qeveria jonë e asnjë qeveri tjetër", shtoi ai.
Ndër të tjera Ylli ngre pyetjen: "Kush ka interes t’i lërë në të zezë? Mua më shkon mendja qoftë për deputetë apo njerëz publik që dalin kundër, që këta kanë interes t’i lënë në të zezë sepse luajnë vet, ose do kenë ndonjë kompani të tyre dhe i duan pa taksa. Ne themi që t’i kontrollojë shteti".



