Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me një grup përfaqësuesish të bizneseve mbi amnistinë fiskale.
Gjatë fjalës së tij, Rama teksa ka folur mbi këtë projektligj, iu kundërpërgjigj edhe Dhomës amerikane të Tregtisë e cila shsprehu shqetësime, duke thënë se ata nuk mund të kundërshtojnë dhe të cënojnë sovranitetin e Shqipërisë për të pasur ambiciet e saj. Sipas Ramës edhe kjo dhomë ka bërë transaksione të fshehta.
Të çohen dhoma tregtie me flamuj të vendeve partnere dhe të bëjnë flet rrufe, për këtë iniciativë të qeverisë. Kjo është vetëm mungesë respekti për sovranitetin e Shqipërisë për të pasur ambicien e saj. Sepse institucione financiare mund të kenë kundërshti. Apo institucione kundër krimit mund të ketë. Por dhoma tregtie? Hajde ma nxirrni një biznesmen në Shqipëri që të thotë nuk duhet amnistia. Një kryetar dhome tregtie. Përjashtuar kryetarin e kryetarëve që nuk është bërë asnjëherë biznes. Përfshirë edhe Dhomën e Tregtisë me flamuj të partnerëve, me fakte që nuk ka bërë një transaksion të fshehtë.
Duke folur para të pranishmëve, Rama tha se e ka menduar amnistinë që në ditën e parë që ka ardhur në qeveri, por që deri më tani sipas tij asgjë nuk ka qenë gati për ta propozuar.
Nuk e kemi propozuar se nuk i kishte ardhur koha. Ashtu siç nuk ishte koha për kanabisin.
Mes të tjerash i Rama ka dhënë edhe një mesazh për ndërkombëtarët që janë treguar skeptik për këtë amnisti fiskale me frikën e pastrimit të parave nga bota e krimit. Rama kujtoj se shteti shqiptar po bën një veprim të jashtëzakonshëm me mbrojtjen e familjeve nga fatura e lartë e energjisë.
Dua t’ju kujtoj të gjithëve dhe partnerëve ndërkombëtar. Bota është në luftë. Shqipëria është pjesë e kësaj lufte. Ndryshe nga vende të tjera. Shqipëria ka marrë vendim me një kosto shumë të lartë. Nëse lufta zgjat përtej një limiti të caktuar mund të bëhet e papërballueshme. Ky vendim është që fatura e energjisë po i afrohet 500 eurove për megavat. Nga 50/60 që ishte para luftës. Kemi bërë që kjo të mos reflektohet nga fatura e familjeve dhe tek biznesi i vogël. Nga dalin këto para? Paketa jonë nuk ka zgjidhur të gjithë hallin se paketa ka përfunduar.
Ndër të tjera, Rama sqaroi se ideja e amnistisë është shumë e vjetër në Shqipëri jo e re. Ai iu përgjigj edhe zërave kundër duke thënë se amnistia është bërë në mënyrë të rregullt në të gjitha vendet që sot i japin mësime Shqipërisë. Sipas tij nuk është e drejtë të pengosh Shqipërinë duke mos e respektuar me gjuhën e përdorur.
Asnjëherë nuk është bërë nga një presion i brendshëm dhe i jashtëm. Se ka pasur arsye që sot nuk ekzistojnë më. Shqipëria në atë kohë nuk ka qenë e strukturuar.
Rama tha po ashtu se amnistia fiskale do të përfundojë sapo personi të depozitojë të ardhurat e tij, duke thënë se nëse në vijim do të rezultojë se ai do të jetë i përfshirë në ndonjë veprimtari kriminale, paratë do të sekuestrohen menjëherë.
Amnistia përfundon në momentin që depoziton paratë që do të thotë pas këtij veprimi, nëse gjendesh në kushtet e cilido subjekti që janë këtu, ato para sekuestrohen. Jo si në rastin kur arreston një kriminel dhe ke proces tjetër për sekuestrimin e pasurisë, këtu është më keq, sekuestrohen në moment që personi del i lidhur me veprimtari kriminale. Ne do ta bëjmë këtë ligj, të jemi të qartë, po do ta bëjmë sa më të mirë.



