
Eksperti i IT, Besmir Semanaj tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Live se në Telegram, Homeland Justice pretendon se ka sulmuar faqen e Bashkisë Tiranë.
Më tej, Semanaj tha se për të kjo histori kërcet pasi faqja e Bashkisë Tiranë nuk ka asnjë vlerë për Iranin në këto momente dhe se institucionet duhet të hetojnë.
Eksperti ngre disa pikëpyetje se mos ky sulm po bëhet për të fshirë disa dokumente të Bashkisë Tiranë apo sistemeve të tjera të brendshme.
Kemi bllokim total, mbytje të internetit nga institucionet iraniane që të shmangin sulmet e sofistikuara izraelite. Musk mbuloi me Starlink Iranin që qytetarët të informohen, dhe të shohin se çfarë ndodh, duke qenë se Irani ka bllokuar qasjen në internet për qytetarët.
Grupi Homeland Justice në Telegram sot ka publikuar mbi 10 mesazhe. Nuk ka ndodhur më parë. Pretendojnë që kanë sulmuar faqen e Bashkisë Tiranë. Kjo histori kërcet. Në Iran interneti është i limituar, kemi luftë të ashpër mes Iranit dhe Izraelit. Ku e gjejnë kohën dhe resurset që këto grupe që mbështeten nga Irani të sulmojnë një faqe që nuk ka vlerë informacionesh.
Nuk është se sulmi ndaj një faqeje të tillë i shkakton diçka madhore shtetit. Por, është harxhim resursesh. Në një situatë të tillë, do të ishte gjëja e fundit që do i shkonte në mendje Iranit që i janë vrarë drejtuesit kryesorë, që ka probleme me të infiltruar, gjen kohë të merret me Shqipërinë për një faqe. Ngrihen pikëpyetje, kush qëndron pas këtyre sulmeve. E kam të pamundur të besoj që në këtë situatë Irani do merrej me faqet e bashkisë.
Nuk besoj se kemi rrezik sa kohë jemi anëtar i NATO-S. Nëse do ndodhte diçka në territorin shqiptar jam i sigurtë që do aktivizohej dhe neni 5. Nuk besoj se Shqipëria rrezikohet me sulme fizike. Ajo që mund ta rrezikojë Shqipërinë janë sulmet kibernetike.
Institucionet përkatëse duhet të zbulojnë se çfarë qëndron pas kësaj gjëje. Mos u sulmua faqja e Bashkisë tiranë që të fshihen disa dokumente duke qenë se situata politike në Shqipëri është shumë e nxehtë? Mos u sulmua faqja e bashkisë dhe pas kësaj mund të na thuhet që janë sulmuar dhe sisteme të brendshme dhe janë fshirë servera, database, email. Para se të arrijmë tek kjo pikë duhet të kishim reagim institucional për të qetësuar qytetarët. Mesazhet që po dërgohen janë dhe kërcënime fizike dhe kërcënime ndaj sovranitetit territorial.
Semanaj tha gjithashtu se infrastruktura kibernetike e Shqipërisë është përmirësuar dhjetëra fish krahasuar me situatën që ishte para 2022.



