AMP-ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie dhe ka pezulluar nga detyra një tjetër për shpërdorim detyre, përndjekje dhe largim nga vendi i aksidentit.
Në Korçë, në pranga ka përfunduar 57-vjeçari A.H., Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit në Drejtorinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit pranë Bashkisë. Ai dyshohet për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe largim nga vendi i aksidentit. Sipas AMP-së, ngjarja ndodhi në unazën e qytetit, ku zyrtari u përplas me një tjetër automjet dhe u largua pa marrë përgjegjësi. Testi i alkoolit tregoi një nivel të lartë prej 1.07 mg/l, mbi kufirin e lejuar.
Ndërkohë në Tiranë, efektivi 24-vjeçar B.M., pjesë e patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 4, u arrestua në flagrancë pas kallëzimit të ish-të dashurës së tij, e cila e akuzon për përndjekje dhe dhunë fizike. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 25 maj.
Rasti i tretë vjen nga Elbasani, ku inspektori i qarkullimit rrugor, B.T., 54 vjeç, është pezulluar nga detyra me vendim gjykate. Ai është nën hetim për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar drejtues mjetesh që kanë kryer shkelje të rregullave të qarkullimit.



