Drejtori i gazetës “Telegraf” Engjëll Musai tha në MCN Live se nuk ka frymë dhe besim nga qytetarët, sa i takon protestës së thirrur nga opozita.
Sipas Musait nga ana e opozitës duhet një strategji e re, një autokritikë përse erdhën në këtë situatë dhe përfshirja e figurave të reja.
Ne vijmë tani më 20 shkurtin e këtij viti ku jemi në një situatë rrëqethëse, ku demokracia ka stopuar goxha, ku ajo parti që u krijua si shpresë është në pikë të hallit për vete. Nuk mund të sillemi sot në vitin 2024 siç mund të silleshin shqiptarët në vitin 93-94. Presupozohet se institucionet janë të konsoliduara, edhe pse një pjesë e tyre kanë probleme. Gjithsesi unë mendoj që protestat janë ilaç për çdo lloj demokracie, për t’i dhënë një goditje cilido diktatori apo arroganti që pretendon se e ka pronë të vetën shtetin dhe pasurinë e shqiptarëve. Kjo lloj opozite e ka shumë të vështirë të bashkohet, të unifikohet, dhe pastaj të kërkojë që t’u japë shpresën shqiptarëve. Duhet një alternativë e re, që i bind që do t’ia lëmë këtë stafetë brezave të rinj, ta shtyjnë përpara, sepse s’mund të mbetemi peng e disa individëve të majtë dhe të djathtë në politikën shqiptare. Çështja e unit vazhdon të jetë ende në fuqi edhe sot, kur pikërisht ai un u rrezua nga protestat qytetare. Kush do t’i organizojë nëpër rrethe, partia apo strukturat vendore. Ata janë një lloj shtyse për të bërë protesta, këta nuk e bëjnë dot sepse nuk i kanë bashkitë. Shto këtu shpopullimin e qyteteve.
Këtu fryma mungon, protesta nga ana tjetër është edhe domosdoshmëri për kushtet financiaro-ekonomike. Për çfarë do çohen, për një individ të caktuar, apo për interesat e tyre, që mos kemi kult individi, që njerëzit të kenë vende pune, që puna të jetë sipas meritokracisë, që studentët të mos kenë tarifa, që fermerët të subvencionohen. Pikërisht këto duhet t’u thonë. Që t’u thonë që në kënde lagjesh do krijojmë kënde lojërash, që të jeni të sigurte aty. Duhet të ketë një strategji të re, një frymë të re, të ketë një autokritikë se përse e sollën në këtë gjendje vetveten. Se njerëzit s’janë budallenj. Fryma dhe besimi kanë rënë. Kush do t’i ngrejë?! Këta duhet të krijojnë besimin te shqiptarët, të jenë edhe të sinqertë brenda për brenda opozitës. Këta figura nuk kanë dhënë asnjë shenjë që kanë keqardhje për shqiptarët. Nuk kanë qenë luajalë, por të lëvizshëm, sa për të kapur ndonjë gjë për veten e tyre. Të thithin rreth vetes profesorë, intelektualë, të rinj, të pandikuar nga kapja dhe joshja që mund t’u jetë bërë lartë e poshtë. Duhet njerëz të rinj, fytyra të reja, me mentalitet të ri. Edi Ramës, mund t’ia kritikosh sa të duash, s’ia dhuroi njeri, i mori vetë".



