Gjirokastra si një qytet turistik, pjesë e UNESKOS mbetet një destinacion i preferuar. Nga Kakavija pika më e madhe tokësore me shtetin grek si shkak i pandemisë, lëvizjet janë më të reduktura për shkak dhe të kufizimeve të vendosura nga pala greke, thotë në një lidhje Skype me edicionin e lajmeve të TvT kryetarja e këshillit të Qarkut Gjrokastër znj, Lindita Rova.
“Situata në pikën e kalimit kufitar të Kakvijës, ditëve të fundit është paraqitur mjaft e nderë, për faktin se janë evidentuar edhe radhë për shkak të reduktimit të orarit të kalimit, por edhe të vendosjes së një numri limiti kalimi ditor. Kjo edhe për faktin se për shkak të marrjes së tamponit, ka pasur mjaft vonesa dhe pritje në kufi”.
Në këtë lidhje Skype, kryetarja e qarkut, Rova, sqaron se pandemia e koronavirusit në vizitueshmërinë e qytetit të gurtë, ka ndikuar në një rënie në masë të madhe të numrit të turistëve.
“Sigurisht edhe Gjirokastra si qark, do ta vuante rënien e turistëve për shkak të pandemisë, gjatë fundjavës po vërehet një lëvizje e turistëve, sot ishin psh dy autobus me turistë, ndërkohë bashkitë Përmet e Gjirokastër kanë filluar me ministrategjitë e tyre, çka ka bërë që në fundjavë të kemi vizita nga figura të njohura të cilat kanë promovuar thesaret e qarkut tonë”.
Znj.Rova, e cilëson lajm mjaft të mirë rinisjen e punimeve të aksit Kardhiq-Delvinë dhe faktin se kryerja e punimeve në afatin e paraparë, do të ndihmonte shumë në shkurtimin e distancës drejt Sarandës. Përsa i takon vatrave të zjarrit, ajo sqaron se gjatë muajit korrik janë shkaktuar 22 vatra të vogla zjarri, kurse muaji gusht, nuk ka evidentuar asnjë vatër zjarri në pyje e kullota.



