
Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduard Sharka në studion e lajmeve në ‘MCN Live’ deklaroi se një nga problemet më të mëdha të konstatuara në bujqësi është mungesa e saj e pa orientuar.
Ai tha se 20% e serave këtë vit janë lënë pa shfrytëzuar pasi fermerët kanë falimentuar duke hedhur poshtë tonelata perimesh dhe frutash pasi ju mungon tregu. Sipas tij duhet një orientim i fermerit për mbjelljen e kulturave bujqësore si dhe studim i tregut bujqësor.
Një nga problemet që kemi konstatuar ne është se jemi në një bujqësi të pa orientuar. Jemi përballuar me kriza të rënda, kjo nënkupton tonelata perimesh dhe frutash të hedhura poshtë, fermerë të falimentuar. 20% e serave sivjet nuk janë mbjellë dhe faktori kryesor ka qenë kriza e tregut, fermerët nuk kanë mundur të shesin produktin e tyre duke mos marrë dot të ardhurat për mbjelljet. Para 3 vitesh ne kemi arritur të bëjmë dhe një projektligj, ku kemi propozuar studimin e tregut bujqësor dhe orientimin e fermerit për mbjelljen e kulturave bujqësore. Një agjenci e posaçme. Para 30 vitesh planifikohej me detaje në çdo stinë kur dilte prodhimi përputhej fuqia blerëse, sot me dy ekonomistë është shumë e thjeshtë për tu bërë një orientim. Fermerët sot mbjellin një kulturë pa orientim duke u prishur raporti ofertë-kërkesë.
Më tej ai shtoi se Ministria e Bujqësisë nuk ka marrë asnjë hap sa i përket orientimit të fermerëve, ndërsa theksoi se qeveria duhet të shmang krizat në tregje.
Ne jemi në kapitalizmin dhe në asnjë vend të botës bujqësia nuk zhvillohet pa një orientim. Asetet dhe aksesin për informacion sa absorbojnë tregjet e ka vetëm ministria e bujqësisë sepse fermeri nuk mund të bëjë studimin e tregut. Këtë sezon ka pasur çmime optimale të larta sepse oferta në treg ka qenë më e vogël se kërkesa. Qeveria nuk paguhet që ti bëjë reklamë rastësisë, para sezonit perimet ishin me çmime katastrofike. Qeveria paguhet të shmangë krizat e tregut dhe falimentimin e fermerit dhe qeveria duhet të marrë masa duke bërë një orientim makro dhe kjo është arsyeja pse kemi një zhvillim kaotik të bujqësisë.



