
Përfaqësuesit politik të Kosovës prej kohësh i kanë kërkuar Unionit Evropian, liberalizim te vizave për qytetarët e saj.
Teksa nesër Unioni Evropian pritet të miratojë paketën e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, draft-raporti i publikuar, përfshin edhe çështjen e liberalizimit të vizave.
Shqipërim Pula, njohës i Çështjeve Ndërkombëtare në Kosovë, për edicionin e lajmeve në “MCN tv”, e konsideron ditën e nesërme, fillim të fundit të izolimit të Kosovës, dhe mundësinë e tyre për lëvizje të lirshme, me miratimit e vendeve anëtare të BE-së.
Me sa duket është fillimi i fundit të izolimit të Kosovës, sa i takon qarkullimit të lirë të qytetarëve të Kosovës, drejt zonës Shengen.
Nuk duhet harruar që kjo temë, tashmë ka krijuar një historik në vetvete dhe që nga hera e fundit në vitin 2016, kur ishte diskutuar në Këshill të Unionit Evropian, që nga atëherë ishim në pritje dhe ishim edhe të izoluar nga Brukseli zyrtar, sepse u mbajtëm peng, përkundër faktit që Komisioni Evropian kishte rekomanduar radhazi përmbushjen e detyrimeve tona të kërkuara nga Brukseli, por siç duket ka munguar vullneti politik i shteteve anëtare, kryesisht atyre themeluese të Unionit, për të marrë vendim dhe për tua mundësuar qytetarëve të Kosovës, qarkullimin e lirë drejt zonës Shengen.
Dhe tanimë kur pritet takimi të mbahet dhe të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit Evropian, duket se ka tashmë një vullnet të shprehur edhe deklarativisht, në veçanti nga shtetet e mëdha sic janë Franca, Gjermania, që të merret një vendim pozitiv që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm.
Nisur nga draft-raporti, prof. Pula, mendon se është bere shkak edhe agresioni rus pas të cilit nuk kanë munguar edhe paralelet me rrezikun që mund ti kanoset Kosovës.
Zhvillimet aktuale në kontinenti tonë të cilat po formësojnë edhe rendin e ri botëror, siç është ndërmjet Rusisë e Ukrainës, duket se e kanë zgjuar nga një letargji Unionin Evropian dhe kanë filluar të mendojnë seriozisht për nevojën që të kenë vëmendje ndaj Ballkanit perëndimor, me këtë edhe të Kosovës, dhe jo vetëm.
Duket se kjo është një vëmendje e shtuar nga Brukseli zyrtar për Kosovën prandaj duke i parë këto zhvillime, çështja e sigurisë dhe e paqes, çështja e energjisë, çështja e ushqimeve, natyrisht se ka nxitur një vëmendje të shtuar karshi nesh.



