Lajmi i uljes së avionit sportiv në Ishëm është përhapur gjerësisht edhe në mediat italiane, ku spikat artikulli i prestigjozes “Corriere Della Sera”. Në lajmin me titull “Ulje në fushën e narkotikëve, misteri i pilotit milanez përshkruhen disa detaje nga ndalimi i 68-vjeçarit Guido Andrea Guidi. Sipas së përditshmes, avioni u ul në orën 09:30 në Shqipëri, ku u gjet edhe avioni në një fushë të Ishëmit, në veri të Durrësit. “Një zonë e njohur për nisjet dhe mbërritjet e ‘trafikantëve të qiellit’. Ai ka deklaruar se nga Puglia do të drejtohej për në Linate”-shkruhej në artikull.
Italiani ka përfunduar me thyerjen e krahut të majtë të avionit dhe bishtin gjysmë të shkatërruar. “Duhet të mbani mend historinë e Dritan Zaganit, policit të anti-drogës, që një vit më parë është detyruar për mërgim. Në fushën e Ishëmit ka një rrip toke, një gjurmë natyre, që lejon ngritjen e mjetit fluturues, duke ditur se avionët e turizmit kërkojnë disa qindra metra (mjafton edhe një gjysmë kilometri). Në bordin e avionit nuk u gjet drogë, por hetuesit nuk përjashtojnë se prania e shoferit në Shqipëri kishte për qëllim ngarkimin e drogës (zakonisht marihuanë, por nuk mungon kokaina) dhe transporti i mëvonshëm”-shkruante gazeta italiane, e cila përshkruan edhe të kaluarën e Guidit dhe precedentët penalë.



