Zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës të cilat do të mbahen të dielën e 14 shkurtit, kanë zgjuar interesin e shtetasve nga Kosova që jetojnë jashtë vendit, për të votuar në mënyra të ndryshme.
Numër i madh i tyre kanë votuar përmes postës, ku sipas të dhënave të deritanishme rreth 16 mijë fletëvotime kanë arritur të deponohen në Dhomën e operacionit të votimit me postë.
Porse, përveç votimeve me postë, një numër i madh i emigrantëve kanë vendosur të vijnë në vendlindjen e tyre për të votuar. Vetëm gjatë ditës së sotme, mediat kosovare raportojnë se në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pritet të aterojnë vetëm sot 15 fluturime nga diaspora.
“Më 12 shkurt në ANP janë 15 fluturime në ardhje, (8) prej tyre nge Zvicra, ndërsa pjesën tjetër e përbëjnë fluturimet nga Gjermani (1), Austria(2), Turqia (2) , Suedia (1) dhe Belgjika (1)”, kënë bërë të ditur nga Aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë.
Ndërsa të shtunën do të aterojnë 29 fluturime në Aeroportin e Prishtinës, ku shumica do të jenë nga Zvicra.
Përveç arritjeve me aeroplanë, disa emigrantë të tjerë kanë zgjedhur të vijnë në Kosovë edhe me autobus të organizuar enkas për votime në zgjedhje.



