Kryeministri Rama ka qëndruar sot në kantierin e Aeroportit të Kukësit ku prej ditësh ka nisur intensivisht puna për vënien e tij në punë dhe kthimin në terminal ndërkombëtar pasagjerësh, duke thënë se do të bëjë çmos që ky projekt të finalizohet. Ai nënvizoi se ndërtimi i këtij aeroporti do të hapë mijëra vende pune, si dhe do të rrisë dhe interesin e investitorëve të huaj për turizëm malor.
“Sa fushata janë dashur për të arritur në ditën që vërtet aeroporti u kthye në një kantier ndërtimi. Ndokush nga ata që nuk duan të kuptojnë thotë se aeroporti aty ishte gati. Por nëse do të ishte gati, madje gjysmëgati, parafytyroni sa herë do ta kishte inauguar Saliu, por nuk ishte gati. Ishte një pistë e ndërtuar me bujari të madhe nga mbreti i Emirateve të Bashkuara dhe e asistuar këtu nga vetë princi i kurorës, por u ndërtua në atë kohë për të ulur thjesht dhe vetëm mjetet që sillnin ndihma për ata që u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga Kosova. Nuk ishte absolutisht një pistë, që mund të shërbente si një aeroport ndërkombëtar, me të gjitha standardet e garancitë për të ulur këtu avionët e pasagjerëve.”
Kryeministri solli në vëmendje edhe punën që po bëhet për ndërtimin e aeroportit të Kukësit i cili është premtuar sa herë çeleshin fushata fushata elektorale, për të ardhur në ditën që vërtet aeroporti u kthye në kantier ndërtimi.
Rama tha se “tani ka marrë formë një terminal i mirëfilltë i një aeroporti ndërkombëtar dhe me një ambicie shumë të madhe për ta kthyer Kukësin në pikë referimi jo vetëm për banorët e Kukësit”.
“Do të jetë një aeroport që do të siguroj linja që nuk i ka dhe s’do t’i ketë as Tirana dhe as Prishtina”, tha Rama.
Ai theksoi se “aeroporti që do të sjellë 1 mijë vende pune direkte dhe mijëra vende të tjera pune që do të krijohen si rrjedhojë e krijimit të tij”.
“Aeroportet nuk janë pista vallëzimi, as për kuaj, por janë fabrika zhvillimi dhe sjellin me vete shumë aktivitete të tjera. 1 euro e investuar në një aeroport sjell 17-27 euro të tjera si rezultat i atij investimi pasi duhet të ndërtohen infrastruktura të tjera mikpritje, shërbimesh, turizmi malor”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave dhe deklaratave të forta të presidentit Ilir Meta.
Kreu i qeverisë tha nga Kukësi se Presidenti është kthyer në një lolo dhe se ka përfituar shumë nga Shqipëria.
“Ne i dhamë një President opozitës, por jo një lolo. Çfarë kërkon Ilir Meta nga Shqipëria dhe nga shqiptarët dhe nuk rri dot pa nxitur sherr? Kur zihen dy vetë përfiton një i tretë thotë populli. Kjo është diviza e Ilir Metës, fut në sherr dy vetë që të përfitojë. Shqiptarët e bënë Kryeministër 30 vjeç dhe e bënë President 50 vjeç. E do thonë se bëmë ne, por e bërë ti, jo, jo s’e kam bërë unë President, u bë President se kishte dhe votat e tij në atë Parlament. Ne i dhamë një President opozitës, por jo një lolo. Fakti që Presidenti është kthyer në lolo, s’do thotë që ka qenë lolo edhe në të shkuarën. Por me kalimin e moshës i ka lëshuar pëllumbat me kalimin e kohës. Të njëjtën gjë bënte edhe kur ishte çadra e opozitës, hidhte një gurë dhe fshihte dorën. Përfytyroni se çfarë ndodh nëse u mbetet atyre puna e rindërtimit.”
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama ka komentuar edhe edhe procesin e votimit për kandidatët e PD në zgjedhjet e ardhshme parlametare. Rama u shpreh sePartia Socialiste nuk do të ngrejë struktura falso për të ftuar socialistët të votojnë ata që nuk duan, ashtu sikundër bënë kundërshtarët politikë.
“Ndaj i bëj thirrje të gjithë atyre që kanë kritika, që të vijnë e të thonë ja kush jam unë. Se është kollaj të flasësh duke parë. Ne nuk bëjmë komisione sic bëri Luli që tani janë kthyer në hajgare. Komisioni ta jep e Saliu s’ta lë. Komisioni thotë duhet të ikë Saliu, saliu thotë s’më lu kush më. Pastaj keni pa ju votim t’ju thonë hajde votoni kë s’doni. Ne nuk bëjmë të tilla votime. Ne nuk bëjmë sikur. Të gjitha kandidaturat do i vlerësoj PS, do i vlerësojmë ne, nuk do ngremë struktura falso dhe urdhëroni hajdeni, me shumë kënaqësi, e shumë dëshirë, për t’ju hapur rrugën. Unë jam këtu, ne jemi këtu.” u shpreh Rama.



