
Ish-kryeministri Italian, Matteo Renzi zhvilloi ditën e sotme një vizitë në qendrën e pritjes së emigrantëve në Gjadër të Lezhës.
Në një prononcim për mediat ai u shpreh se kampi i Gjadrit duhet të përdoret si një qendër ku mund të vuajnë dënimin shqiptarët e dënuar nga drejtësia italiane.
Një hap i tillë sipas tij do të ishte lehtësim për sistemin e burgjeve italiane dhe do të ndihmojë të burgosurit shqiptarë të jenë më afër familjarëve.
Mendojmë se është e drejtë që të vijmë këtu për t’u thënë italianëve shihni ku po shpenzohen paratë tuaja. Me anë të një marrëveshje me shtetin shqiptar, qendrat e Gjadrit dhe Shëngjin të kthehet në burg për shqiptarët të cilët vuajnë dënimin në Itali. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të qartë. Këtë ide e kemi artikuluat edhe në Parlamentin italian. Me kaq para në Itali mund të bënim qindra qendra të tilla. Përveç miqësisë Meloni-Rama, cila është arsyeja që u ndërtuan këto qendra?
Kjo vizitë vjen pas vendimit të Gjykatës italiane, e cila i dha të drejtë qeverisë italiane, për marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët.
Për zbatimin e kësaj marrëveshje është angazhuar vetë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila është shprehur e vendosur për realizimin e këtij objektivi, që sipas saj është përshëndetur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas marrëveshjes me Italinë, të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit 2023, porti i zbarkimit të refugjatëve nga vendet e treta është Shëngjini, ku është ngritur edhe qendra pritëse.
Ndërsa në Gjadër është ngritur kampi ku emigrantët do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.



