Ish-deputeti demokrat, Luan Baçi, e cilëson tallje marrëveshjen që i dha fund grevës së naftëtarëve të Ballshit. Në një bisedë në studion e lajmeve në TvT, Baçi tha se naftëtarët u detyruan ta pranonin si zgjidhje të momentit atë që kryeministri Rama ua ofroi si marrëveshje, por që, sipas tij, nuk është e tillë.
“Është për të ardhur keq për këtë marrëveshje që trumbetohet nga Rama. Ishte një marrëveshje që unë nuk do ta quaja marrëveshje. Është njëfarë detyrimi që bëri kryeministri duke i vënë në pozicion të vështirë. Ata kanë muaj që kërkojnë të drejtën e tyre. Greva e tyre është e paprecedent, ishin shumë muaj të papaguar, muaj të tërë djersë. Greva e tyre ishte për pagat e prapambetura, për sigurimet shoqërore të pahedhura në sistem, për rifillimin e punës. Naftëtarët e pranuan marrëveshjen, por e pranuan si zgjidhje të momentit. Më duhet të përdor fjalën e një zonje, “kur nuk ke pulën, detyrohesh të hash sorrën”. Ishte tallje për naftëtarët”, tha ai.
Baçi u shpreh se, nëse Rama do të kishte keqardhje, kjo zgjidhje që në fakt nuk është zgjidhje, duhej t’u ishte ofruar që në ditët e para që ata nisën të protestonin.
“Ai i la me ditë të tëra në grevë urie dhe pas 47 ditësh kujtohet, bën shou, vjen në Fier me policinë dhe ndërhyrjen e shpejtë dhe më një përfaqësi naftëtarësh futet dhe bën një marrëveshje. Duhej të shpjegonte pse e çoi uzinën e Ballshit në këtë gradë, pse këta koncesionarë që vijnë e ikin çdo gjashtë muaj nuk njohin asnjë ligj”, tha ai.



