Mësohen detaje të reja lidhur me shpërthimin e një lënde plasëse në zyrën e një notereje në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Gazetari Andon Kello në një lidhje për MCN Live, bën të ditur se një sasi lënde plasëse tritol ka shpërthyer në dyert e noterisë së noteres Esmeralda Dauti.
Sipas gazetarit nga shpërthimi ka vetëm dëmtim në xhamin e zyrës së noterisë dhe në bordura dhe gjithçka mendohet se ka qenë një mesazh për noteren, për shkak edhe të orës që është vendosur lënda plasëse.
Sasia e tritolit ka qenë e vendosur në trotuar ngjitur me zyrën e noterisë duke dëmtuar edhe zyrën e noterisë, ndërkohë që zona është e survejuar me kamera për shkak të bizneseve përreth.
Gazetari thotë se noterja me bashkëshortin e saj nuk kanë pranuar që të japin prononcim për mediat.
Policia njoftoi zyrtarisht se:
Më datë 30.01.2024, rreth orës 04:10, është marrë njoftim se në rrugën “Perlat Rexhepi”, në ambientet e jashtme të një noterie, dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve.



