Vala e dytë e arrestimeve për çështjen e inceneratorëve është sipas gazetarit Klodian Tomorri një hap shumë i vonuar. Në studion e lajmeve, Tomorri tha se SPAK i ka pasur provat prej gati një viti për të ndërmarrë një veprim të tillë.
Është skemë mashtrimi që buron nga korrupsioni. Teknikisht është e thjeshtë. Ata që kanë bërë inceneratorët kanë marrë para pa fund nga buxheti, mbi 50 milionë euro.
Meqë puna që këta bënin, kosto reale e projektit, ishte shumë më e ulët se paratë që kanë marrë nga shteti ka lindur nevoja të justifikohen shpenzimet me fatura fiktive. Ndaj kanë gjetur kompani të ndërtuara nga njerëz të panjohur, të cilët faturonin nga inceneratorët, por e gjitha ishte fiktive. Janë njerëz të panjohur të përdorur si instrumente për të organizuar këtë lloj skeme. Janë kaluar miliona euro ryshfete për të paguar zyrtarë të qeverisë të cilët bënë të mundur miratimin e kontratave që SPAK thotë se kanë qenë korruptive.
Është shumë më i vonuar se thjesht një muaj ky hetim. Të gjitha provat kanë qenë publike dhe janë denoncuar nga LSI. SPAK e ka pasur të gatshme dosjen për të arritur aty.
Sipas Tomorrit, e vetmja e re lidhur me hetimet e SPAK është emri i administratorit të kompanisë mbikëqyrëse, Arben Dervishaj. Ky i fundit rezulton i përfshirë në të tre kontratat, edhe pse ajo që lidhet me Tiranën është lënë në heshtje deri tani. Tomorri theksoi se vonesa e hetimit në rastin e Tiranës është më kosto, pasi për të paratë vijojnë të paguhen.
Ajo që del e re është arrestimi i administratorit të kompanisë mbikëqyrëse, Arben Dervishaj. Kompania e tij është mbikëqyrëse në tre kontratat e inceneratorit: Elbasan, Fier dhe Tiranë. Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga SPAK, dhe Mirel Mërtiri i shpallur në kërkim, por edhe zoti Cafalione, administratori, janë njerëz në të tre kontratat. SPAK po na thotë që këta njerëz kanë bërë korrupsion në Fier dhe Elbasan por nuk ndihet për Tiranën. Vonesa në hetimin e Tiranës është me më shumë kosto se vonesat në hetimet në Fier dhe Elbasan. Kjo për shkak se këtu biznesi vazhdon, paratë paguhen. Por mesa duket SPAK nuk ka guximin të hetojë një dosje të tillë, edhe sepse jemi në prag të zgjedhjeve për bashkitë. Hetimet do të përmbysnin shumë gjëra, jo vetëm në rrafshin e asaj që ka ndodhur aty, por edhe në rrafshin politik për zgjedhjet që do të vijnë.



