Partia Demokratike përmes ish- deputetes Oriola Pampuri ka kërkuar sot shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
Sipas PD, Ardi Veliu, me zë dhe figurë, ka dhunuar sot për herë të dytë viktimën e policisë, 15-vjeçarin e dhunuar pak ditë më parë në zonën e liqenit Artificial.
Sipas saj, duke përgojuar dhe sajuar të pavërteta kundër nënës së djalit të rrahur barbarisht, Ardi Veliu justifikoi dhunën policore kundër minorenit.
Video e nënës së djalit, që më pas rezultoi se ishte bërë gjatë xhirimeve të një filmi, u komentua si tentativë e Veliut për të justifikuar dhunën e policisë ndaj minorenit.
Ish-deputetja Oriola Pampuri tha se Veliu duhet të shkarkohet sot, ndësa e quajti të “neveritshme” mosreagimin e deputetëve socialistë.
“Sipas këtij qëndrimi kriminal, nëse Ardi Veliut nuk i pëlqen çfarë bëj unë apo ti, mund të na rrahë fëmijët, pastaj të rrëmojë në rrjetet sociale për të gjetur video. Është e neveritshme të shohësh sesi burra e gra heshtin para këtij akti të rëndë. Për PD nuk ka asnjë habi për këtë akt të një krimineli gjakftohtë. Ardi Veliu duhet të shkarkohet sot, për sulmet ndaj një nëne që me sakrifica ka rritur tre fëmijë. Ardi Veliu është fytyra e kësaj qeverie. Po të ishte ndryshe Edi Rama do ta kishte shkarkuar tani, dhe do e kishte larguar me turp,” u shpreh Pampuri në një deklaratë nga selia blu.



