Ushtria amerikane po përgatitet të raportojë një rritje mbi 50% të rasteve të dëmtimit traumatik të trurit prej sulmit raketor të Iranit ndaj një baze në Irak muajin e kaluar, thanë zyrtarë të SHBA-së, sipas “Reuters”.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti thanë se ka mbi 100 raste ndaj 64 që u raportuan muajin e kaluar.
Pentagoni nuk pranon të komentojë, por më parë ka deklaruar se rritja e rasteve është e pritshme, duke qenë se simptomat mund të kërkojnë kohë për t'u manifestuar dhe akoma më tepër kohë për t’u raportuar.
Simptomat përfshijnë dhimbje koke, marramendje, ndjeshmëri ndaj dritës dhe vjellje.
Zyrtarët e Pentagonit thonë vazhdimisht se nuk ka pasur asnjë përpjekje për të minimizuar ose vonuar informacionin për dëmtimet. Por zbulimet pas sulmit të Teheranit ringrejnë pikëpyetje mbi politikën e ushtrisë amerikane në lidhje me raportimin e dëmtimeve në tru dhe nëse ato trajtohen publikisht me të njëjtën urgjencë si humbja e gjymtyrëve ose jeta.
Që nga viti 2000, rreth 408 000 persona në shërbim ushtarak janë diagnostikuar me dëmtim traumatik të trurit, sipas të dhënave të Pentagonit. /Reuters/



