
Pas më shumë se katër muaj burg, është liruar edhe ish-zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Eva Kaili. Drejtësia belge ka urdhëruar arrest shtëpie për Kailin me detyrimin e byzylykut elektronik. “Një vendim logjik që e kemi pritur shumë gjatë”, komentoi Sven Mary, avokati i ish-nënkryetares së Parlamentit Evropian të arrestuar më 9 dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të të ashtuquajturit hetimi i Katargate.
Deputetja greke u arrestua për herë të parë më 9 dhjetor, kur u raportua se u kap në flagrancë dhe imuniteti i saj parlamentar iu hoq menjëherë.
Deputetja 44-vjeçare u akuzua më pas për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash dhe më pas u transferua në burgun Haren, që ndodhet në periferi të Brukselit, ku qëndroi në paraburgim.
Arrestimi i saj shkaktoi valë tronditëse në të gjithë Brukselin dhe nxori në dritë një hetim mbi një skemë parash për favore që përfshinte shuma "të mëdha" parash dhe dhurata "të konsiderueshme" që dyshohet se janë paguar nga Katari dhe Maroku për të ndikuar në politikëbërjen evropiane.
Mbi 1.5 milionë euro para kesh u sekuestruan nga policia belge gjatë dhjetëra kontrolleve të shtëpive dhe zyrave.
Pas skandalit, Kaili u hoq nga posti i saj si një nga nënkryetaret e Parlamentit Evropian dhe anëtarësimi i saj në parti u pezullua, një kthesë dramatike e ngjarjeve për një ligjvënës që është konsideruar si një yll në ngritje.



