
Gazetari Ylli Aga, duke folur për eliminimin e skuadrave shqiptare në turin e dytë në Conference League, deklaroi se nuk ka vend për dramë.
Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Aga deklaroi se eliminimi i Vllaznisë është deri diku i justifikueshëm, për shkak të kundërshtarit, ndërsa për Tiranën, Partizanin dhe Laçin, tha se janë zhgënjim i madh.
Edicionin e kaluar luajtëm 18 ndeshje në Europë, morëm 6 fitore, 1 barazim dhe 11 humbje. Morëm 5 kualifikime, arkëtuam 3.2 milionë euro. Në këtë edicion luajtëm 12 ndeshje, 2 fitore, 3 barazime dhe 7 humbje, vetëm një kualifikim dhe arkëtuam vetëm 2.2 milionë euro nga UEFA. Është një bilanc negativ.
Për mua nuk ka vend asnjëherë për dramë, sepse është vetëm pjesë sportive. Nëse nuk e bën dramë Italia, që eliminohet nga Maqedonia, edhe ne duhet të jemi racionalë dhe të ftohtë në këtë pjesë. Nuk mund të varim njerëz tani nëpër trekëndësha.
Përjashto Vllazninë që luajti deri në turin e dytë dhe përballë kishte një kundërshtar me koeficient dhe buxhet të madh, Tirana, Partizani dhe Laçi janë zhgënjim i madh në Europë për këtë sezon.



