Opozita vijon të këmbëngulë në kërkesën për qeveri teknike. Vendimi është marrë në tryezën e koalicionit opozitar, ku është ritheksuar vendimi se vetëm një qeveri teknike që do të zbatojë plotësisht dekriminalizimin, dhe do të angazhohet në luftën ndaj drogës, krimit dhe parave të paligjshme kriminale, mund të garantojë kushtet për zgjedhje të lira. Ndërkohë, sipas “Ora News”, në tryezën opozitare është rënë dakord që asnjë parti të mos regjistrohet në KQZ dhe të marrë pjesë në betejën elektorale të 18 qershorit, pa dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe garantimin e qeverisë teknike.
Përveç çadrës së protestës në bulevard, opozita do ta shtrijë aksionin e saj në gjithë qytetet e Shqipërisë nëpërmjet lëvizjes që e quan kuvendi qytetar, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vendimi për ndryshim të strategjisë dhe intensifikim të aksionit u mor në takimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha me aletatë e partive politike opozitare.



