Dy automjete të parkuara janë përfshirë nga flakët gjatë natës në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rrëth orës 02:45 të ditës së sotme. Qytetarët kanë njoftuar në numrin e Emergjencave 112, se në rrugën "Shefqet Kuka", pranë pallateve Amfora ka rënë zjarr në dy mjete të parkuara.
Sipas policisë, nga hetimet paraprake të kryera dhe konsultimit me ekspertët e zjarrfikëses, dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme në mjetin e E.L, i cili është djegur plotësisht.
Si pasojë është djegur nga flakët në pjesën e përparme, mjeti taksi, në pronësi të G.Sh.
Grupi hetimor po punon për zbulimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit të kësaj vepre penale.



