
Teksa PS nisi zyrtarisht fushatën elektorale, socialistët një pjesë të buxhetit të tyre do ta çojnë për mbjellje pemësh duke evituar mitingjet pompoze.
Lidhur me këtë kryetari i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, i ftuar në “Të Paekspozuarit” në MCN tv, tha se ka pranuar kërkesën nga kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama që edhe në Shkodër të mbjell pemë në kuadër të fushatës së tij elektorale për vendoret.
Këtë fakt, Bardhi e quan tallje, sepse sipas tij Shkodra ka të tjera halle përtej pemëve, ndërkohë që qeveria nuk ka bashkëpunuar në asnjë projekt bashkie.
Kërkesën e Ramës për lokacion për mbjellje pemësh në Shkodër, ja ktheva përgjigjen për personin kontaktues zyrtarisht.
Nuk e mora si provokim, por si një tallje, jo vetëm për mua, por edhe bashkitë tjera.
Nuk është problematikë mbjellja e pemëve sidomos në një bashki me të tjera halle, por e vërteta është që realisht Shkodra ka të tjera problematika që hasen në përditshmëri, ka aspekte ku do duhej vëmendja e kryeministrit dhe ndërhyrja e strukturave qeverisëse.
Është pjesë e fushatës mediatike. Do të doja që cështje thelbësore dhe serioze të kishin vëmendjen dhe hapësirën e duhur nga kryeministri.
Me marrjen e detyrës time, kam sunuar me cdo mjet dhe formë të hap Bashkinë e Shkodrës ndaj komunikimit jo vetëm institucional por edhe më tej, për të garantuar vëmendje të shtuar për institucionet e qeverisjes për të orientuar fondet drejt Bashkisë Shkodër.
Gjatë këtij viti janë mbi 50 projekte konkrete të përfunduara dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga qeveria.



