
Sri Lankës i kanë mbaruar rezervat e karburantit. Sipas RT, e cila i referohet britanikes Daily Mirror, që citon burime në kompaninë shtetërore të energjisë Ceylon Petroleum Corporation (CPC), vendi tani ka vetëm 1.1 mijë ton benzinë dhe 7.5 mijë ton naftë të mbetur në magazinë.
"Javën e kaluar, asnjë anije me karburant nuk lundroi në Sri Lanka sepse Colombo nuk arriti të kryente pagesat e nevojshme për ngarkesën," thanë burimet për botimin. Vendi është futur gjithashtu në listën e zezë nga kompanitë e huaja sepse kohët e fundit ka dështuar në borxhet e tij dhe tani i kërkohet të sigurojë garanci bankare ndërkombëtare për porositë e reja, shtuan burimet.
Kjo situatë e ka detyruar Sri Lankën të drejtohet te Rusia. Ministri i Energjisë së Sri Lankës, Kanchana Wijesekera, tha të dielën se qeveria do të dërgojë dy ministra në Rusi këtë javë për të negociuar dërgesat e mëtejshme të naftës pas blerjes së muajit të kaluar të naftës së papërpunuar me një zbritje, të cilën Moska e ofroi në fillim të këtij viti për të tërhequr blerës të rinj ndërsa vetë përballet me sanksionet perëndimore.
"Dy ministra do të shkojnë në Rusi dhe unë do të shkoj në Katar nesër për të parë nëse mund të aranzhojmë kushte koncesionare," u tha Wijesekera gazetarëve, siç citohet nga Al Jazeera.
Sri Lanka po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike që nga shpallja e pavarësisë mbi 70 vjet më parë. Gjithçka nisi nga një rënie e turizmit në mes të pandemisë Covid-19, e cila çoi në mungesë të valutës së huaj. Si rezultat, Sri Lanka nuk ka para për të paguar importet dhe po përballet njëkohësisht me krizat e karburantit dhe ushqimit. Që nga fillimi i vitit, çmimet e naftës në vend janë rritur gati katërfish dhe çmimet e benzinës janë pothuajse trefishuar. Situata u përkeqësua në mes të prillit, kur Sri Lanka dështoi në borxhin e saj të jashtëm prej 51 miliardë dollarësh, gjë që e bëri atë të paaftë për të marrë hua fonde të huaja.
Mungesa e furnizimeve me karburant mund të rezultojë në një mbyllje të plotë të transportit publik në vend këtë javë dhe të çojë në ndërprerje të energjisë elektrike. Banorët nuk do të jenë në gjendje të marrin karburant për përdorim personal në ditët në vijim pasi autoritetet do t’i ndajnë fuçitë e mbetura midis transportit publik, prodhimit të energjisë dhe ofruesve të shërbimeve mjekësore.



