Nën masa të forta sigurie është zhvilluar seanca gjyqësore, për vlerësimin e masës së sigurisë për 5 të arrestuarit, e të "fortëve" të fshatit Nikël të Krujës. Forca të shumta të policisë kanë rrethuar gjykatën e Krujës, aty ku u zhvillua seanca ndaj të arrestuarve të aksionit të forcave RENEA, pak ditë më parë. Togat e zeza të Krujës lanë në burg 4 prej 5 të arrestuarve, Ylli Cangun, Valter Bamin, Marklen Hakën dhe Skënder Lezën, ndërsa për 67 vjecarin, Lutfi Haka vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Prokuroria në pretencën e saj kërkoi masën e sigurisë ”arrest me burg”, për 5 të ndaluarit në Nikël të Krujës. Mëngjesin e 12 shtatorit forca të shumta të RENEA-s dhe FNSH-së do të ndërhynin në fshatin Nikël të Krujës, në një operacion të gjërë për kontrolle në banesa, pasi autoritetet e zbatimit të ligjit dyshonin se persona me veprimtari kriminale fshiheshin në këtë fshat.
Pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata, Policia e Shtetit, ajo e drejtorisë Vendore të Durrësit nën drejtimin e Prokurorisë së Krujës ushtruan kontrolle në banesa të përdorura prej personave të dyshuar si anëtarë te grupeve kriminale, që dyshohet se vepronin në Krujë, Durrës dhe Tiranë. Gjatë operacionit të RENEA-s dhe FNSH-së, u shoqëruan 11 persona, ndërsa më vonë 6 prej tyre u lanë të lirë pas shoqërimit në komisariat.
Në mesin e të shoqëruarve ishte edhe Durim Bami, një personazh jo pak i njohur për autoritetet shqiptare. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi armë zjarri, municione, mjete të blinduar, një sasi të konsiderueshme monedhash në valutë dhe lek, si dhe sende të tjera të poseduara në mënyrë të paligjshme.



