Sulmet ajrore ruse kanë goditur qytete në të gjithë Ukrainën, përfshirë kryeqytetin Kiev, duke vrarë të paktën pesë persona. Një grua dhe fëmija tre vjeçar u vranë në qytetin e Dnipro, sipas kryebashkiakut lokal.
Katër persona vdiqën dhe 17 të tjerë u plagosën në qytetin qendror të Umanit pasi raketat goditën ndërtesat e banimit, thanë zyrtarët.
Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, ka pasur edhe shpërthime në qytetet Kremenchuk dhe Poltava.
Kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit tha se ky ishte sulmi i parë raketor rus në kryeqytet në 51 ditë. Nuk ka raporte të menjëhershme për viktima civile në kryeqytet.
Njëzet e një nga 23 raketa dhe dy dronë sulmues u rrëzuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, thanë zyrtarët në një postim në Telegram.
Një video e postuar në Telegram nga Shërbimi Shtetëror Kufitar i Ukrainës tregoi një ndërtesë apartamentesh të dëmtuar rëndë në Uman pas sulmeve.
Sulmet vijnë pasi forcat ukrainase besohet se po përgatiten për një ofensivë ushtarake me pajisje të reja, duke përfshirë tanke, të furnizuara nga aleatët perëndimorë.
Rusia ka luftuar për të ecur përpara në një ofensivë dimërore, duke përfshirë një betejë 10-mujore për kontrollin e qytetit të rëndësishëm strategjik të Bakhmut.



