Në “MCN Informacion”, diskutimi u përqendrua te ndikimi i konflikteve globale në raportimin e lajmeve dhe rritja e kontrollit mbi mediat dhe rrjetet sociale.
I ftuar në studio ishte eksperti i IT-së, Ardit Gavani, i cili ndau këndvështrimin e tij mbi censurën, platformat digjitale dhe rrezikun e inteligjencës artificiale.
Sipas Gavanit, zhvillimet teknologjike dhe algoritmet e platformave kanë ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si shpërndahet informacioni. Ai u shpreh kritik ndaj disa rrjeteve sociale, duke përmendur veçanërisht TikTok-un.
Nga ana ligjore nuk flas dot se jam IT, por nga ana teknike kam qenë pro mbylljes. Janë dëshmuar algoritme që favorizojnë materiale boshe, që ndikojnë negativisht te përdoruesit, madje edhe përmbajtje me tendenca të dhunshme apo degradim social.
Eksperti theksoi se shqetësimet për këto platforma nuk janë vetëm lokale, por globale, duke përmendur reagimet e disa shteteve.
Në momentin që disa shtete reagojnë ndaj TikTok-ut, nuk besoj se kemi më të bëjmë me teori konspirative. Kur një platformë bëhet shqetësim botëror, atëherë kemi të bëjmë me një problem real që duhet adresuar.
Në lidhje me perceptimet në publik, Gavani vuri në dukje se shpesh ka një prirje për të parë konspiracione edhe aty ku nuk ka.
Në Shqipëri njerëzit i kanë qejf konspiracionet, por jo çdo gjë është konspiracion në jetë. Duhet të bëjmë dallimin mes realitetit dhe perceptimit.
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë intervistës ishte rritja e përdorimit të inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjeve vizuale, veçanërisht në kontekstin e luftërave dhe krizave ndërkombëtare.
Aktualisht inteligjenca artificiale ka marrë shumë hov dhe është bërë shqetësim global. Njerëzit manipulohen lehtësisht dhe krijojnë bindje mbi video që nuk kanë ekzistuar kurrë.
Sipas tij, cilësia e lartë e këtyre videove e bën edhe më të vështirë dallimin mes realitetit dhe falsifikimit.
Edhe kur përpiqemi të faktojmë që një video është krijuar me AI, njerëzit shpesh nuk e besojnë, sepse realizimi është shumë i avancuar. Ky është një manipulim i rrezikshëm që po prek edhe mediat.
Diskutimi në studio solli në vëmendje sfidat gjithnjë në rritje për informimin e drejtë në një botë ku teknologjia zhvillohet me ritme të shpejta dhe ku kufiri mes realitetit dhe manipulimit bëhet gjithnjë e më i paqartë.



