Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim identifikoi dy pengesa kryesore në rrugën e Shqipërisë drejt zhvillimit. Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën “Sfida e Prokurorisë së Përgjithshme”, organizuar nga misioni PAMECA, kryediplomatja amerikane në Shqipëri e vuri theksin tek korrupsioni dhe kultura e pandëshkueshmërisë.
“Si anëtare e NATO-s dhe si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të mbrojë shtetin ligjor. Kjo është një kërkesë dhe jo zgjedhje. Pandëshkueshmëria dhe korrupsioni duhet të marrin fund, sepse këto janë pengesat që po ndalojnë Shqipërinë në rrugën drejt zhvillimit”, deklaroi ambasadorja Yuri Kim.
Në këtë kuadër ajo i vlerësoi si tejet me rëndësi reformën në drejtësi dhe përsëriti qëndrimin se SHBA dhe BE do të vazhdojnë t’a mbështesin këtë reform, sidomos në këtë moment të vështirë të saj.
Për një moment të vështirë të reformës foli edhe Prokuroria e Përgjithshme, kryeprokurori Olsian Çela u ndal tek shkurtimi i burimeve njerëzore si pasojë e procesit të vettingut dhe shtimit të volumit të punës.
Çela tha se organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende ne proces apo nuk e kanë nisur procesin.
Ai prezantoi edhe masat urgjente që duhet të marrë institucioni që ai drejton, ndërsa si objektiv kryesor vuri theksin tek pavarësia e prokurorëve.
“Masat që ne vlerësojmë se duhet të ndërmerren shtrihen në disa plane, duke nisur që nga organizimi i brendshëm i zyrave, infrastruktura operacionale e deri tek strukturimi i bashkëveprimit institucional”, tha ai.
Sipas tij, në këtë kuadër, objektiv primar mbetet forcimi i pavarësisë dhe rritja e përgjegjshmërisë së prokurorëve përmes ndërtimit të një sistemi efikas monitorimi të aktivitetit të tyre në ushtrimin e funksioneve.



