
Demokratët nuk kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët për bashkëpunimin në zgjedhjet lokale të majit 2023. Grupi parlamentar i PD, që shumë i referohen si grupi Alibeaj, doli sot pasdite me një deklaratë, në të cilën shpreh keqardhjen për atë që e quan “prevalim i interesit dhe kushteve për të njohur statutin e 11 dhjetorit”.
Ne shprehim keqardhjen që në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet lokale. Anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike, janë të lodhur nga debati “kush është statuti në fuqi i Partisë Demokratike”. Ato kërkojnë zgjidhje për të unifikuar çdo zë opozitar përballë Edi Ramës në zgjedhje lokale. Humbja e kësaj mundësie me kokëfortësi dhe duke injoruar situatën e rëndë që po kalon Partia Demokratike, nuk është në interes të qytetarëve dhe dobëson alternativën e opozitës në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Grupi “Alibeaj” thotë se pala tjetër nuk është e sinqertë dhe nuk ka vullnetin e duhur për të arritur te zgjidhja.
Refuzimi i vazhdueshëm i çdo propozimi të bërë nga ana jonë, përfshirë propozimin final të paraqitur edhe me shkrim, është tregues i mungesës së sinqeritetit dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje. Ky refuzim provon paramendimin për të mos gjetur zgjidhje dhe vënien para faktit të kryer të palës tjetër. Kjo bëhet evidente nga fakti që ndërsa palët ishin në bisedime mes tyre, njëra palë vijonte me akte të njëanashme apo me deklarata publike të disa përfaqësuesve politik që shkonin në frymën e nxitjes së dështimit të bisedimeve mes palëve.
Nisur nga kjo situatë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për ti hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore.



