Situata e krijuar nga zjarri që ka përfshirë malin e Shëngjinit që prej mbrëmjes së të premtes po shkon drejt normalizimit falë ndërhyrjes së koordinuar nga ajri dhe në terren.
Kreu i Emergjencave Civile në Lezhë, Nikoll Tushi, tha për MCN TV se operacioni ka vijuar me intensitet, ndërsa pritet edhe angazhimi i Forcave të Armatosura për të shmangur riaktivizimin e vatrave në zonat me pyll të dendur.
Situata po shkon drejt normalizimit pas ndërhyrjes nga ajri dhe punës së shërbimeve zjarrfikëse të bashkive Lezhë, Vau i Dejës, Shkodër dhe Mirditë. Gjithashtu pritet ardhja e Forcave të Armatosura për të prerë trungjet e dendura që paraqesin rrezik për riaktivizimin e zjarrit.
Sipas një vlerësimi paraprak, flakët kanë përfshirë rreth 9 hektarë sipërfaqe me pisha dhe shkurre karakteristike të zonës. Në operacion janë angazhuar struktura të shumta të Mbrojtjes Civile, ndërsa vështirësia e terrenit e bëri të domosdoshme edhe ndërhyrjen nga ajri.
Sipas përllogaritjeve të para, janë përfshirë rreth 9 hektarë me pisha dhe shkurre. Për Mbrojtjen Civile në Bashkinë Lezhë janë angazhuar forcat e Lezhës, Vaut të Dejës, Shkodrës, Mirditës dhe Portit të Shëngjinit. Duke qenë se terreni ishte i vështirë, u bë e nevojshme ndërhyrja e helikopterit, i cili nisi operacionin rreth orës 08:00 të mëngjesit.
Ndërkohë, autoritetet vendore kanë shtuar masat parandaluese për të shmangur raste të tjera zjarresh gjatë sezonit veror.
Është zhvilluar mbledhja e strukturave përgjegjëse dhe janë përcaktuar detyra për çdo strukturë bashkiake, drejtoritë rajonale, kryetarët e fshatrave dhe Policinë e Shtetit. Nuk lejohet ndezja e zjarreve për djegien e mbeturinave. Zjarret nga temperaturat e larta ndodhin rrallë, ndaj dyshojmë se kjo vatër është shkaktuar nga pakujdesia.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zonës deri në shuarjen e plotë të vatrave aktive dhe eliminimin e çdo rreziku për riaktivizimin e flakëve.



