
Kathleen Ann Kavalec pritet të emërohet nga presidenti amerikan, Donald Trump, ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri.
“Presidenti Donald Trump njoftoi të martën synimin për të emëruar zonjën Kathleen Ann Kavalec nga Kalifornia si ambasadore e SHBA në Shqipëri”, njoftoi këtë të martë Shtëpia e Bardhë.
Kavalec aktualisht shërben si zv.ndihmëssekretare në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit me mbi tre dekada përvojë si diplomate. Për të marrë vendimin përfundimtar, ajo duhet të kalojë votimin në Senat.
Ajo do të zëvendësojë ambasadorin Donald Lu, të cili i mbaron mandati në Shqipëri për t'u transferuar në një vend tjetër.
Më parë ka shërbyer si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve të Rusisë, zv.shefe e Misionit të SHBA në UNESCO në Paris, zv.koordinatore e Ndihmës në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Drejtore për Parandalimin e Konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtimin dhe Stabilizimin.
Kavalec ka mbaruar Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe ka një master nga Universiteti Georgetown.
Flet rrjedhshëm gjuhët frënge, rumune, ukrainase, ruse, spanjolle dhe portugeze.
Ajo ka shërbyer më 2008-2009 edhe si drejtore e Parandalimit të Konflikteve në Zyrën e Koordinimit për Rindërtim e Stabilizim. Detyrat jashtë vendit kanë përfshirë edhe ture në Ukrainë, Rusi, Rumani e Brazil.




