
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e sotme një vizitë në Izrael. Mësohet se fokusi i takimit me zyrtarët izraelitë do të jetë mbi sigurinë kibernetike dhe sulmet kibernetike iraniane ndaj vendit tonë.
Kryeministri dhe ministrat e tij do të zhvillojnë takime me presidentin Isaac Herzog, kryeministrin Yair Lapid, liderin e opozitës Benjamin Netanyahu dhe kryetarin e Kuvendit Mickey Levi.
Rritja e numrit të sulmeve kibernetike që janë kryer nga Irani kundër Shqipërisë ka çuar në tensione mes dy shteteve, ndërsa Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në shtator.
Sulmi i parë kibernetik ndodhi në korrik, kur u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë.
Më 10 shtator hakerat iranianë sulmuan sistemin TIMS. Irani nuk e fshehu se kishte gisht në këtë sulm pasi në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar shfaqej mesazhi: “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës dhe kjo lojë do të vazhdojë”.
Pasi u konfirmua se sulmi ishte ndërmarrë nga qeveria iraniane, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.



