Avokati Kujtim Cakrani thotë se në Shqipëri me pronat është bërë një masakër sa i takon falsifikimit, qofshin nga individë, edhe nga ish-kryetarët e komunave dhe ish-kryetarët e bashkive.
Duke folur për falsifikimin e 7500 metër katrorë tokë në zonën e Bërxullës në Tiranë, Cakrani deklaroi në MCN Live se mafia e tokave ka arritur që të fusë në Arkivin e Shtetit dokumente të falsifikuara, për të vijuar më tej me manipulimin dhe grabitjen e pronave.
Sipas tij, nëpër komunat e Shqipërisë është bërë një kasaphanë e madhe dhe se në prokurorinë e Tiranës ka nisur që në nëntor një procedimi penal për një kompleks të madh ndërtesash, i bërë mbi tokë të falsifikuar dhe manipulimi i dokumentacionit nga disa zyrtarë dhe institucionet.
Nëse nuk hetohen në formën e grupit kriminal por për shpërdorim detyre, nuk jemi gjëkundi.
Çdo vepër që është bërë nga më shumë se dy persona, duhet hetuar në formën e grupit kriminal se trajtohet më seriozisht nga SPAK.
Oficerët e policisë kanë ndikime politike se e dimë që varen nga ministria e Brendshme.
7500 metra nuk është ndonjë sipërfaqe e madhe, por ka nga 100 hektarë që janë grabitur. Megjithëse edhe 1 metër tokë të jetë, është grabitje.
Në zonat e bregdetit kryepleqtë kanë bërë falsifikime të jashtëzakonshme. Kryetarët e komunave kanë qenë feudalët e zonës, jepnim AMTP pa fund për zgjedhje.
Janë lëshuar AMTP pa fund në çdo komunë të Shqipërisë. Megjithëse falsifikimi me AMTP është lehtësisht i verifikueshëm.
11 mijë qytetarë janë vrarë për motive pronësie. Asnjë pushtues që ka kaluar në Shqipëri, nuk ka shkaktuar kaq shumë viktima sa nga konflikt i tokës.
Në ka zyrtarë banditë në kuptimin e plotë të fjalës, janë ish-kryetarët e komunave. Ishin banditë me pushtet.
Kanë bërë manipulime dhe falsifikime, kanë pasuruar njerëzit e tyre, por mbi të gjitha i kanë përdorur për të qëndruar në pushtet.
Ka pasur kryetarë komunash që kanë ndenjur 4 apo 5 mandate.
Nëse këta hetohen për shpërdorim detyre që parashikon deri në 7 vite burg, nëse i heton për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale, hapen shumë çështje.
Ne kemi pasur 365 komuna apo bashki dhe do na duhen mijëra prokurorë dhe oficerë për të hetuar dosjet.
Këto janë hetime që sa herë denoncohen për shkaqe të ndryshme proceduriale apo afatesh pushohen.
Por duhen hetuar, edhe për shkak të një krimi të mundshëm për hakmarrje se nuk pranon që ti t’i marrësh tokën si investitor strategjik dhe fëmija e tij të rrijë pa bukë.
Se është e pakonceptueshme që ti t’i marrësh tjetrit pronën në këtë formë.
Në Vlorë është paguar 1 milionë euro për trupën gjyqësore për të tjetërsuar një tokë.
Ish-kryetari i komunës së Bërxullës, Ymer Marku u arrestua të hënën pasi një hetim i Prokurorisë së Tiranës gjeti se së bashku me dy vartës të tij dhe një qytetar kishin tjetërsuar 7500 metra tokë arë dhe më pas ia kishin shitur atë një kompanie për shumën 10 milionë lekë.
Prokuroria bëri me dije se Ymer Marku, ish-kryeplaku Agim Loci dhe ish- Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Kujtim Balliu kishin falsifikuar dokumentet dhe në shpërdorim të detyrës kishin tjetërsuar sipërfaqen e tokës duke ia kaluar të arrestuarit të katërt, Kujtim Allmeta.
Ndërkohë Allmeta, i cili dyshohet se e ka marrë pasurinë me dokumente të falsifikuara dhe e ka shitur atë për 10 milionë lekë akuzohet për pastrim parash. Prokuroria thotë se Allmeta kishte marrë tokën që i takonte sipas ligjit 7501 dhe kjo sipërfaqe nuk i takonte.
Sipas prokurorisë toka iu shit shoqërisë “Alko Impex Construksion” në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi.



