Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, ka përshëndetur miratimin e ligjit për pakicat kombëtare në Shqipëri.
Përmes një postimi në twitter, Borisov shkruan: Moment historik për Bullgarinë pas 104 vitesh Shqipëria njohu bashkësinë etnike bullgare.
Edhe Zëvendës/kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, e cilësoi vendimin e parlamentit shqiptar për të njohur pakicën kombëtare bullgare historik.
“Projektligji i mungonte pakicës bullgare, tetë pakicat u njohën. Ne kemi bërë shumë përpjekje për këtë. Gjëja më e rëndësishme në një shtet demokratik që dëshiron të jetë anëtar i BE-së, është që të mos pengojë njerëzit që të identifikohen në rastin kur ata vetë identifikohen si bullgarë dhe kanë fakte historike. Falënderoj minoritetin bullgar në Shqipëri për mbledhjen e rreth 3,000 nënshkrimeve për rreth një muaj e gjysmë”, tha ajo duke shtuar se në Shqipëri ka 4-5 shoqata të regjistruara bullgare.
“Ka një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Bullgarisë që nga viti 1932 për njohjen e një pakice bullgare. Për fat të keq, ajo nuk ka hyrë në fuqi dhe nënshkrimi i saj nuk është finalizuar”.



