Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot masat kryesore sociale të parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e PS-së së Tiranës.
Në fokus të deklaratave të tij ishin mbështetja financiare për pensionistët, ulja e TVSH-së për produktet bazë të shportës, dyfishimi i ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe programi i ri për strehimin social.
Për herë të parë ne kapërcejmë pragun e 10 miliardë eurove në buxhet, falë një ekonomie që rritet në mënyrë të qëndrueshme.
Arritjet tona nuk janë medalje për gjoksin e qeverisë; për një familje që numëron lekët në fund të muajit, rëndësi ka sa e shtrenjtë është shporta në dyqanin e lagjes.
Ndaj është një arritje kuptimplote fakti që në buxhetin e vitit 2027, 54 produkte të shportës do të kenë TVSH të ulur në 6 për qind.
Duke u ndalur te shtresa e të moshuarve, kreu i qeverisë bëri të ditur se rritja e bonusit mujor të pensionistëve do të dyfishohet duke nisur nga viti i ardhshëm, ndërsa indeksimi vjetor do të zhvendoset më herët.
Pensionistëve u kemi një borxh që nuk e shlyejmë dot në të gjallën tonë, një borxh moral ndaj një gjenerate që mbajti mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet.
Nga 1 janari, bonusi i fundmuajit për pensionistët do të rritet dhe rritja do të jetë dyfishi i vitit të shkuar, ndërsa indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill.
Dyfishimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara është një tjetër shenjë se po shkojmë në drejtimin e duhur.
Larg syve të botës qëndrojnë të mbyllura nëna, duke i qëndruar mbi kokë një fëmije që ka nevojë për kujdes orë e çast.
Me buxhetin 2027 u themi: ju nuk jeni vetëm, nuk mund të mbeteni pa një pension dhe pa kujdes mjekësor sepse nuk shkoni dot në punë dhe nuk paguani dot sigurime. Këto do t’i mbulojmë ne për ju.
Kreu i qeverisë vuri theksin edhe te ligji i ri për strehimin social, për të cilën tha se 10 mijë familjet e para marrin çelësat vitin e ardhshëm.
Kostoja e lartë e banesave nuk prek më vetëm familjet e varfra, por edhe shtresën e mesme, mësuesit, infermierët, ushtarakët, policët dhe çiftet e reja.
Me ligjin e ri adresojmë nevojën për strehim të përballueshëm: kredi pa interes për shtëpinë e parë, garanci shtetërore për kë nuk ka kolateral dhe mbështetje për qiranë.
Ndërkohë, me buxhetin dhe sistemin e ri për strehimin, 10 mijë familjet e para të reja do të kenë shansin të marrin çelësin duke nisur nga viti i ardhshëm, ndërsa ambicia jonë është që deri në vitin 2030 të dorëzojmë 55 mijë çelësa.
