Pas zbulimit të ofertës që kreu demokrat Lulzim Basha pretendon se i ka bërë kryeministri Edi Rama, aleatët janë të mendimit se kreu i qeverisë ka qëllime antikushtetuese. Kryetari i Partisë Republikane Shqiptare Fatmir Mediu thotë për TvT se Rama nuk mund të përdorë hapjen e listave për të manipuluar zgjedhjet.
“Rama duhet të zbatojë detyrimet që ka marrë përsipër me marrëveshje me opozitën dhe ndërkombëtarët për të votuar reformën zgjedhore me konsensus. Qendrimi i Ramës për të mos lejuar koalicionet është antikushtetues, antipluralizëm, antipolitik dhe antieuropian. Rama kërkon që nga vjedhja dhe blerja e votave që ka bërë në të kaluarën t’i vjedhë ato në tavolinë. Rama s’mund të fshihet mbas hapjes së listave për të manipuluar zgjedhjet.”
Ndërsa kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka duke iu referuar të së shkuarës, thotë se këtu nuk ka asnjë risi, teksa e krahason kryeministrin me ish-liderin socialist Fatos Nano.
“Nuk është diçka e re, shpeshherë ajo që ndodh prapa kuintave të politikës është më e madhe se ajo që ndodh përpara tyre. Mjaftojmë të kujtojmë sa ka ndodhur me koalicionin e zgjedhjeve të vitit 2013, midis PS dhe LSI, nga sa mund të kuptojmë sot dhe nga sa është folur nëpër ambientet politike, pjesë e marrëveshjes së atëhershme ishte edhe zgjedhja e Metës President. Pra në këtë rast nuk ka asnjë risi, por është një përpjekje e Ramës për të ricikluar manovrat e dikurshme, shenjë kjo konsumimi dhe frike përballë zgjedhjeve që po afrojnë. Sinqerisht shpresoja se Rama do të tregonte një të dhjetën e fisnikërisë së Fatos Nanos, i cili e la pushtetin si burrë shteti, dhe jo të sillej si një i dëshpëruar për karrigen, sidomos kur nuk ka më asgjë për t’i ofruar shqiptarëve”.
Marrëveshja “Rama kryeministër dhe Meta President”, sipas Dukës nuk solli asnjë të mirë dhe çdo marrëveshje tjetër me Ramën do të ishte amnisti për krimet zgjedhore të bëra nga mazhoranca.
“Prandaj kjo përpjekje është e vrarë që në tentativë pasi cdo marrëveshje me Ramën, do të ishte një amnisti për krimet zgjedhore dhe cdo akuzë që kemi bërë në këto vite opozitë. Megjithatë lojërat e Ramës nuk pijnë më ujë, ju e dini se ne si Parti Ambientaliste Agrare kemi refuzuar pazare për të dalë nga koalicioni opozitar, sepse mendojmë se qytetarët meritojnë një ndryshim real dhe transparencë maksimale në raportet e partive politike.”
Por Rudina Hajdari publikoi një video të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha ku thekson se po gënjen shqiptarët në lidhje me listat e hapura. Para tre vitesh u premtoi shqiptarëve hapjen e listave ndërsa një ditë më parë doli kategorikisht kundër.
Të premten kreu demokrat në një komunikim me gazetarët tha se kreu i qeverisë i kishte ofruar një pakt, ku parashikohej që ai të bëhej kryeministër dhe Rama president.



