Tenderi i RTSH/ Gjyqtari Klarent Demiri bllokon përjashtimin e "R&T" dhe "TBS 96"

Tenderi i RTSH/ Gjyqtari Klarent Demiri bllokon përjashtimin e "R&T" dhe "TBS 96"

Vendimi i Agjencisë së Prokurimit Publik, për përjashtimin për një periudhë 12-mujore nga e drejta për të përfituar kontrata publike të dy kompanive të akuzuara për paraqitjen e dokumenteve të rreme në tenderin me vlerë 9.5 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit DVB-T2 të Radio Televizionit Shqiptar, është pezulluar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendim të gjyqtarit Klarent Demiri.

 

APP ka njoftuar se shoqëritë “R&T” SHPK dhe “TBS 96” SHPK janë hequr përkohësisht nga lista e operatorëve ekonomikë të përjashtuar. 

 

Ky veprim është ndërmarrë pasi gjykata ka pranuar kërkesën e dy kompanive për sigurimin e padisë dhe ka urdhëruar pezullimin e zbatimit të Vendimit nr. 45, datë 31 korrik 2026, deri në momentin kur të jepet një vendim përfundimtar për çështjen.

 

Dy kompanitë ishin ndëshkuar nga APP me përjashtim 12-mujor, pasi Agjencia kishte konstatuar se ato kishin kryer keqinformim me qëllim kualifikimin, duke dorëzuar dokumente të pavërteta gjatë procedurës së prokurimit me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për rrjetin e shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”.

 

Procedura, me fond limit rreth 906.9 milionë lekë pa TVSH, ishte zhvilluar nga Radio Televizioni Shqiptar dhe lidhet me mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar DVB-T2 të televizionit publik.

 

Pas vendimit të APP-së, bashkimi i operatorëve ekonomikë iu drejtua gjykatës, duke kërkuar vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Me vendimin nr. 136, datë 5 gusht 2026, gjykata pranoi kërkesën e tyre dhe vendosi pezullimin e efekteve të vendimit të APP-së deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

 

Në zbatim të këtij vendimi të gjykatës, APP ka proceduar me largimin e përkohshëm të emrave të dy kompanive nga lista e operatorëve ekonomikë të përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike.

 

Sipas APP-së, statusi përfundimtar i dy kompanive do të përcaktohet vetëm pasi të përfundojë shqyrtimi gjyqësor.

 

Çështja është pjesë e një prej procedurave më të kontestuara të zhvilluara nga RTSH, një proces që vijon prej shumë muajsh dhe që lidhet me mirëmbajtjen për 4 vjet të rrjetit kombëtar DVB-T2 të televizionit publik.

 

Procedura ka qenë në qendër të debatit publik pas konstatimeve lidhur me përdorimin e dokumenteve të rreme gjatë procesit të kualifikimit.

 

Deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata, “R&T” SHPK dhe “TBS 96” SHPK nuk do të konsiderohen të përjashtuara nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy