
Avokati i ish-zyrtares së lartë Alda Klosit, Ilirjan Muho, informon se një ditë më parë u zhvillua seanca në Apel ku u kërkua ndryshimi i vendimit të shkallës së parë si një vendim jo i mbështetur në prova por mbi bazën e një vendimi të nxituar të organit të akuzës.
Nga studio e MCN Live, Muho deklaroi se Prokuroria u tregua e nxituar dhe cilësoi si diçka me rëndësi që deklarimet e pastrueses Rozeta Dobi, të vërtetohen sa më parë.
Sipas avokatit, duke qenë se Rozeta Dobi ka dhënë rreth katër deklarime në organin e akuzës me katër versione të ndryshme për ngjarjen, ndërsa Prokuroria i jep një vlerë të paracaktuar dhe mbi bazën e tij procedoi me ndalimin e zonjës Klosi.
Ne u njohëm me deklarimet e përfaqësueses së akuzës, një deklarim i Rozeta Dobit më 3 shkurt dhe një tjetër, ku flet për një vjedhje të inskenuar dhe bashkëpunim mes saj dhe Alda Klosit, sikur i ka dhënë 500 mijë euro për ti mbajtur në banesë.
Jam i çuditur se si organi i akuzës e mbështet fatin mbi një deklarim të pabesueshëm.
Zonja Klosi ka deklaruar se ka pasur një kasafortë me 130 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, këto para i ka marrë hua vëllai i saj tek një person, për kurimin e xhaxhait të saj të ndjerë, e ka pranuar faktin se janë marrë 130 mijë euro.
Janë marrë me deklaratë huadhënie, me një deklaratë mes vëllait të saj dhe një personi që zhvillon aktivitet biznesi në Tiranë.
Pjesa tjetër e parave të gjetura në banesën e Rozeta Dobit, që pretendohet se janë marrë në shtëpinë e Alda Klosit, është pretendim i pavërtetë, por të pretendosh se sendet e gjetura në shtëpinë e saj, është diçka e pavërtetë.
Më 6 janar dhe Rozeta dhe djali i saj Havier Dobi, janë shoqëruar në polici dhe kanë dhënë në mënyrë të pavarur deklarimin për vjedhjen e banesës së Alda Klosit në 15 dhjetor dhe ka përputhje të plotë mes deklarimeve mes tyre.
Në 6 janar u ushtrua kontroll në banesën e Rozeta Dobit dhe u gjetën 58 mijë dollarë dhe disa lekë të tjera, që ka thënë se i ka vjedhur këtë shumë te shtëpia e Alda Klosit.
Pas një rikontrolli është gjetur dhe vlera tjetër. Ajo ka pranuar se këto para janë marrë në shtëpinë e Alda Klosit.
Në deklarimin e 3 shkurtit, thotë se të gjithë vlerën e parave e ka marrë në bashkëpunim për ta ruajtur dhe kthyer në një moment tjetër.
Çdo gjë që ka ndodhur në banesën e Klosit, është e këqyrur nga kamerat përreth. Të gjitha veprimet janë tipike të personave që po përgatiten për të realizuar një vjedhje, kanë kontrolluar se si mund të hyhet dhe dilet pa u pikasur.
Rozeta Dobi, kur ka dalë nga shtëpia e Aldës, ka mbajtur çadër shiu në ditë me diell për të mbuluar fytyrën.
Foton e Rozeta Dobit ia ka vënë Alda Klosi në dispozicion punonjësve të policisë. Mbas këtij bashkëpunimi të Alda Klosit me policinë, u bë identifikimi i Rozeta Dobit.
Muho nënvizon se vlera prej 120 mijë euro e Alda Klosit, ka burim të ligjshëm, pasi është një hua nga një person i deklaruar me emër dhe mbiemër, që zhvillon biznes në Tiranë, ku huaja është marrë në nëntor, ndërsa vjedhja ka ndodhur në 15 dhjetor.
Ndër të tjera shton se mjekimi i xhaxhait të Alda Klosit në SHBA, kishte kosto të larta, pasi nga 5 dhjetori deri në 5 janar, shpenzimet e kurimit të tij janë rreth 52 mijë euro, vetëm faza e parë, shto më tej dhe pjesën tjetër deri sa ndërroi jetë.
Paratë i janë dhënë gruas së xhaxhait, por ajo ua ka lënë këtyre që tua nisnin me sistem bankar se nuk mund të kalonin në mënyrë informale.
Në deklarimin e Rozeta Dobir në datë 3 shkurt ka deklarim që bie kryekëput ndesh, ajo që po thotë Rozeta Dobi është kryekëput gënjeshtër.
Nëse i kanë ofruar statusin e bashkëpunëtorit kanë gabuar, se ajo ndryshon deklarimet e saj dhe nesër mund t'i vendosë prokurorët para një situate jo të favorshme ligjore.
Një tjetër pretendim që rëndohet pa të drejtë mbi klienten time është një apartament në rrugën “Frederik Shiroka”, por i regjistruar në emër të ish-bashkëshortit, i blerë në vitin 2021.
Ndërkohë në vitin 2018, Alda Klosi është divorcuar nga bashkëshorti i saj dhe nuk mund t'i atribuohet si pasuri.
Për mënyrën se si u hap kasaforta, ai shtoi se duhet ta deklarojë Rozeta Dobi dhe se të gjitha provat e marra deri tani dëshmojnë se tregohet se ajo që ka ndodhur më 15 dhjetor është një vjedhje e pastër, ku në shtëpinë e Rozeta Dobit janë gjetur dhe sende të tjera të vjedhura, që sipas tij, tregojnë se ky është një person që shkon për të punuar në shtëpitë e qytetarëve dhe "dora i ngjit dhe në sende me vlerë".
Provat flasin për vjedhje të kryer në bashkëpunim me djalin e saj. Në deklaratën e parë në mënyrë të pavarur të dy kanë thënë se pasi morën paratë, i kanë nxjerrë lekët nga kasaforta dhe kasafortën e hodhën në plehra.
Është bërë kontrolli i vendit në kazanit të plehrave, por pas 2-3 ditësh dhe nuk është gjetur atje.
Ajo që këmbëngulim, është se kemi pranuar vetëm vlerën 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë. Fillimisht Alda Klosi ka qenë e shtruar në spital, prej një krize hipertonike, u mjekua disa ditë në QSUT, më tej pati një gjendje më të përmirësuar.
Është dërguar te burgu i grave, por është në gjendje shumë të rënduar psikologjike.
Ish-burri ka marrë vajzën dhe është larguar nga vendi, nuk dihet ku është. Djali i saj 12 vjeç jeton në shtëpinë e babait me të afërm apo shokë të tij, se nëna e Aldës është tërësisht e verbër.
Jemi në një situatë përtej akuzave që rëndojnë mbi të se ajo është thjesht e dyshuar, nuk është akoma e pandehur, është person nën hetim.
Duke qenë se ka një situatë të tillë familjare, nuk do të ishte e udhës që ky person të mbahej në burg. Se lënia në arrest shtëpie apo detyrim paraqitje, nuk mund të ndikojë në hetime.



