
Shtatëmbëdhjetë përqind e fëmijëve thonë se ndihen nervozë ose të shqetësuar kur privohen nga pajisjet e tyre digjitale, siç janë telefonat inteligjentë ose tabletat.
Kjo është një nga të dhënat e përfshira në raportin “Si është jeta e fëmijëve në epokën digjitale” të publikuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Raporti ofron një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes aktuale të jetës digjitale të fëmijëve në vendet e OECD-së.
Bazuar në të dhënat më të fundit ndërkombëtare të disponueshme, ai përfshin 45 tregues të krahasueshëm ndërkombëtarisht që lidhen me aksesin dhe përdorimin e teknologjive digjitale nga fëmijët, ndërveprimet sociale në internet, përvojat dhe praktikat negative që rrisin ose zvogëlojnë rreziqet.
Treguesit e pasqyruar në raport i referohen sjelljeve specifike dhe të matshme, duke ofruar një burim të ri praktik për të udhëhequr vendimet politike që lidhen me mirëqenien e fëmijëve.
Sipas raportit, 51% e nxënësve 15-vjeçarë në vendet e OECD-së thonë se mund t’i ndryshojnë lehtësisht cilësimet e privatësisë digjitale, dhe 27.6% raportojnë se ndajnë lajme të rreme në mediat sociale.
Në raport, organizata ndërkombëtare me seli në Paris sugjeron një qasje ambicioze për të mbrojtur dhe fuqizuar fëmijët në botën digjitale.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se ngacmimi kibernetik është në rritje në të gjitha vendet e OECD-së dhe se një pakicë e konsiderueshme fëmijësh raportojnë përdorim problematik të mediave sociale.
Për më tepër, është vënë re se periudhat e gjata të kohës së kaluar në internet zëvendësojnë aktivitete të tjera të vlefshme dhe pasuruese, të tilla si leximi, ushtrimet fizike ose shoqërimi me miqtë, të cilat njihen gjerësisht si thelbësore për zhvillimin konjitiv dhe socioemocional të fëmijëve.
“Është thelbësore që të gjithë palët e interesuara të punojnë për të mbrojtur dhe mbështetur fëmijët në botën digjitale, veçanërisht pasi rreziqet për mirëqenien e fëmijëve, si në internet ashtu edhe jashtë internetit, shpesh përforcohen reciprokisht”, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Mathias Cormann.
Ai iu bëri thirrje shteteve anëtare të forcojnë rregulloret dhe mjetet e tjera të politikave, të përmirësojnë shkrim-leximin dhe aftësitë digjitale të fëmijëve, të ofrojnë këshilla për prindërit dhe kujdestarët, të pasurojnë bazën e të dhënave të disponueshme mbi aktivitetet digjitale të fëmijëve dhe ndikimin e tyre, si dhe të marrin në konsideratë perspektivat e fëmijëve në hartimin e politikave publike.
Corman shpreson që këto masa mund të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë, mirëqenies dhe mundësive në internet.



