
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka u shpreh në MCN Live i surprizuar për mirë nga procesi i primareve në selinë blu.
Paloka thekson se procesi i zhvilluar dje hedh poshtë akuzat për kandidatë të paracaktuar.
Paloka e argumenton këtë me faktin që në primare kanë fituar edhe kandidatë të grupimit “Basha”, kandidatë të aleatëve, si dhe ka pasur balotazhe.
Jam një nga ata që e kam kundërshtuar si proces, primaret, për arsye të ndryshme, se realisht kam pasur frikë se mund të sillte përveç gjërave pozitive, ndonjë pasojë negative, por jam surprizuar për mirë nga ai proces. Ka pasur edhe probleme dhe pakënaqësi sepse është hera e parë që zhvillohet në një nivel të tillë. Ia ka arritur qëllimit dhe madje e ka tejkaluar qëllimin që kishte, duke e treguar para të gjithëve se brenda një partie mund të zhvillohen procese demokratike. Kur dikush hyn në një garë për të fituar, ka bindjen që e meriton fitoren dhe është më i miri. Mund të ketë të tjerë që hyjnë për t’u promovuar, por kryesisht ata që hyjnë në garë mendojnë që janë më të mirët. Pati disa shembuj jo vetëm brenda PD, por edhe brenda koalicionit, pasi rezultatet kanë nxjerrë në dukje që kanë fituar edhe kandidat që kanë qenë deri dje në grupimin e “Bashës”. Ka kandidatë që kanë pasur mbështetjen e aleatëve. Kanë fituar dhe do jenë kandidatë nesër, dhe hedh poshtë propagandën që u ngrit ndaj këtij procesi se kandidatët janë të paracaktuar, se është proces fals që do nxjerrë kandidatët e Berishës. Fakti që ai prodhoi kandidat që kanë qenë mbështetës të grupit tjetër, përfaqësues të partive aleate. Në disa zona kemi balotazh...”
Paloka tha se kandidatët që kanë rezerva dhe kanë vërejtur parregullsi duhet të ndjekin rrugën ligjore dhe rastet do ndiqen nga gjykata e PD.
Të gjithë kandidatët që kanë rezerva dhe mund të kenë vërejtur parregullsi, duhet të ndjekin rrugën ligjore dhe jo të bëjnë denoncime të momentit. Nuk do doja të ishin reagime inati apo pakënaqësie për shkak të rezultatit. PD ka një gjykatë të sajën ku gjithsecili mund të paraqesë ankimimet e tij. Kandidatët duhet t’i kishin denoncuar më parë parregullsitë, jo të prisnin rezultatin, se kjo i kompromenton. Gjykata e partisë do t’i shqyrtojë rastet. Procesi e hodhi poshtë akuzën për paracaktim. Këto akuza bëheshin edhe nga grupimi tjetër, që ka filluar ta kopjojë Ramën në çdo gjë. Nëse do ishin paracaktuar do kishim të gjithë kandidatët e Berishës, s’do kishim të grupimit tjetër, të aleatëve dhe s’do kishim balotazhe”.
Lidhur me garën e Tiranës mes Këlliçit dhe Alimehemetit, Paloka tha:
Unë mendoj që për shkak të pozicionimit politik ka qenë në një farë mënyre e pritshme, sepse dihet kur votohet brenda një partie, pavarësisht se futëm simpatizantët, ai që e ka aktivitet më të theksuar merr më shumë vota. Unë s’jam pozicionuar në asnjë rast, s’do pozicionohem as tani. Janë të dy për mua po aq të vlefshme për të përfaqësuar PD-në dhe qytetarinë e Tiranës. Në kushte normale, në një vend normal, ku nuk vidhen zgjedhjet, ku funksionon shteti ligjor, Veliaj sot do ishte në burg, jo kandidat për bashkinë e Tiranës. Veliaj do ishte kandidati më i dobët përballë çdo kandidati të PD. Por ne flasim për një vend jo normal dhe kandidatët duhet të përballen me këtë realitet. Kushdo që të dali, qoftë Belindi, qoftë Iliri duhet ta ketë parasysh që s’do përballemi me zgjedhje normale. Kushdo të dalë prej tyre, duhet të ketë mbështetjen e opozitës dhe qytetarisë së Tiranës për të rrezuar një monstër. Për rastin e Belindit e pranoj që ka një efekt te anëtarësia, por futja e simpatizantëve mund ta ketë lëvizur këtë diferencë. Dalja në balotazh s’është gjë e vogël kur voton me figura politike”.
Sa i takon pretendimeve për parregullsi në primaret e Kamzës, Paloka thotë:
Në Kamëz ka rivalitet sepse dihet që është zonë që fitohet nga PD. Nuk ka rivalitet në Skrapar dhe Kuçovë, ku shanset për të fituar janë më të pakta. Nuk e di çfarë ka ndodhur që ka ngjallur pakënaqësi te kandidatët e Kamzës. Por nëse kanë vërejtur paqartësi duhet të ndjekin rrugën që thashë. Nëse ka parregullsi që faktohen dhe i kanë vënë re, do ishte mirë të ndiqej rruga, procedura institucionale. Pjesa e deklaratave emocionale s’na bënë mirë as ne, as atyre vetë. Nuk janë primaret qëllim në vetvete, por nxjerrja e kandidatit më të mirë dhe fitimi i zgjedhjeve. Askush s’del i turpëruar nga gara e primareve. Me votat që kanë marrë tregojnë që janë vlerësuar nga anëtarësia dhe simpatizantët".



