Rreth 80 mijë shqiptarë të Kosovës janë gjobitur nga autoritetet që prej muajit gusht, raportojnë mediat e Kosovës.
Kosova, njësoj si edhe Shqipëria, ka miratuar një ligj anti-Covid, i cili parashikon masa administrative të ndryshme në varësi të shkeljes së kryer.
Ligji anti-Covid, i cili konsiston në parandalimin e përhapjes së koronavirusit ndëshkon qytetarët për mos mbajtjen e maskës, mos respektimin e distancës sociale, mos respektim të orës policore si edhe mos respektimin e vetëizolimit.
Sipas Ligjit për Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse që u votua nga Kuvendi i Kosovës gjoba e parashikuar fillon nga 35 euro për mos mbajtjen e maskës, deri në 500 euro për mos respektimin e vetizolimit.
Autoritetet kosovare kanë aplikuar edhe masa të reja anti-Covid, sipas shkallës së përhapjes në komuna, duke i ndarë në zona të ndryshme.
Në zonën e kuqe janë 18 qytete si Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica.



